Drejtoria e Policisë Financiare ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kallëzim penal kundër tre personave fizikë, menaxherë dhe pronarë të një personi juridik, si dhe kundër vetë personit juridik, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Shmangie tatimore” nga neni 279 i Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
I denoncuari i parë D.P., në cilësinë e menaxherit, së bashku me të denoncuarin e dytë G.Z., në cilësinë e pronarit dhe nënshkruesit të autorizuar të llogarisë bankare, si dhe të denoncuarin e tretë I.Gj., në cilësinë e pronarit të mëparshëm të personit juridik, gjatë muajit prill të vitit 2024 janë dakorduar dhe kanë realizuar shitjen e një linje për prodhimin e kabllove në vlerë totale prej 14.514.000 denarësh, të cilën nuk e kanë evidentuar në evidencën kontabël të personit juridik.
Një pjesë të mjeteve nga shitja, në vlerë prej 2.701.189 denarësh, e kanë përvetësuar për vete përmes transferimit në llogaritë e tyre bankare dhe në llogari të personave të afërt, pa i evidentuar në evidencën kontabël të personit juridik, ndërsa një pjesë të shitjes e kanë realizuar përmes kompensimit me një automjet motorik udhëtarësh në vlerë prej 1.537.500 denarësh dhe kabllo në vlerë prej 1.516.500 denarësh, të cilat gjithashtu nuk ishin evidentuar dhe nuk janë gjetur te personi juridik.
Gjithashtu, i denoncuari i parë D.P., në emër dhe për llogari të personit juridik, nuk i ka shlyer dhe nuk i ka tatuar detyrimet e papaguara ndaj furnitorëve vendorë dhe të huaj nga viti 2022, në vlerë totale prej 17.380.716 denarësh.
Me veprimet e përmendura, të denoncuarit nuk kanë llogaritur, nuk kanë deklaruar dhe nuk kanë paguar tatim mbi vlerën e shtuar në vlerë prej 272.970 denarësh, tatim mbi fitimin në vlerë prej 3.764.991 denarësh dhe tatim mbi të ardhurat personale në vlerë prej 639.401 denarësh, me çka e kanë dëmtuar Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në vlerë totale prej 4.677.362 denarësh.










