Trendy

Qeveria me tetë ministra të rinj – a do të sjellin energji të re?

Para 15 orë

Qeveria është rekonstruktuar me tetë ministra të rinj. Nëse ata do të sjellin energjinë e re që pret kryeministri Hristijan Mickoski, mbetet të shihet.

Nga foltorja e Kuvendit, Mickoski deklaroi se posti i ministrit nuk është privilegj, por përgjegjësi dhe detyrim ndaj çdo qytetari që pret një jetë më të mirë. Ai tha se nga ministrat e rinj pret vazhdimin e procesit përmes të cilit, sipas tij, shteti do të rikthehet sërish në këmbë njofton INA.

“Për ministra të rinj propozoj njerëz që vijnë me përvoja të ndryshme profesionale, por me të njëjtin obligim – të punojnë me ndershmëri, përgjegjësi dhe me vetëdijen se çdo ditë e kaluar në detyrë u është besuar nga populli dhe i takon popullit”, deklaroi Mickoski.

Ministrat e rinj u zgjodhën me shumicën e votave, por pa mbështetjen e opozitës, e cila braktisi seancën parlamentare pasi, sipas saj, deputetët opozitarë u fyen dhe u shanë nga përfaqësues të pushtetit.

Koordinatorët e LSDM-së, BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët kërkuan një kërkimfalje publike nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe nga kandidati për ministër të Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoilkoviq, për fyerjet dhe sharjet e drejtuara ndaj deputetëve të opozitës.

Rikonstruimi i Qeverisë vjen dy vjet pas fillimit të mandatit të VMRO-DPMNE-së. Një pjesë e deputetëve të opozitës e vlerësojnë këtë lëvizje si një hyrje drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për të cilat gjithnjë e më shumë po spekulohet se mund të mbahen gjatë vitit të ardhshëm./INA/

Trending