Fjalët “identitet maqedonas” dhe “gjuha maqedonase” të hiqen nga draft-raporti për përparimin e Maqedonisë. Një marrëveshje e tillë është arritur nga tre forcat kryesore politike në Parlamentin Evropian, raportoi agjencia BGNES.
Konfirmimi erdhi edhe nga eurodeputeti bullgar Andrej Kovaçev.
Me kërkesë të grupit të Partisë Popullore Evropiane (EPP), tre partitë më të mëdha në Parlamentin Evropian – EPP, S&D (socialistët) dhe Renew (liberalët) – u pajtuan mbrëmë të heqin të gjitha referencat për “identitetin maqedonas” dhe “gjuhën maqedonase” nga draft-raporti për përparimin e Maqedonisë së Veriut.
“Pres që ky amendament të miratohet nga shumica në PE javën e ardhshme gjatë seancës plenare”, publikoi Kovaçev.
Ndërkohë, Komisioni për Punë të Jashtme i PE-së e miratoi një raport për Maqedoninë, në të cilin në disa vende përmendet drejtpërdrejt “identiteti dhe gjuha maqedonase”, si më poshtë:
“(Parlamenti Evropian…) i bën thirrje Këshillit Evropian të japë mbështetje publike dhe të qartë për Maqedoninë se ka qëllim të marrë një vendim pozitiv për hapjen e fazës së ardhshme të negociatave për anëtarësim, pas përmbushjes së kushteve nga konkluzionet e 18 korrikut 2022, duke respektuar plotësisht gjuhën dhe identitetin maqedonas.”
“Rikonfirmon rëndësinë e njohjes së qartë dhe respektimit të gjuhës dhe identitetit maqedonas si pjesë përbërëse e trashëgimisë kombëtare, e rendit kushtetues, por edhe e vlerave evropiane; vëren se institucionet evropiane, në raportet dhe dokumentet zyrtare, i referohen vazhdimisht gjuhës maqedonase në përputhje me njohjen ndërkombëtare dhe zbatimin e Marrëveshjes së Prespës; konfirmon se respektimi i identitetit gjuhësor, kulturor dhe kombëtar është një komponent thelbësor i procesit të anëtarësimit në BE dhe një gur themeli i shoqërive demokratike, që do të konfirmohet edhe më tej me anëtarësimin në familjen e kombeve evropiane.”





