MPB njofton se sot (07.06.2026), nga ora 13:00 deri në 19:00, në territorin e qytetit të Shkupit, Njësia për Siguri në Komunikacionin Rrugor dhe Njësia e Stacioneve Policore me Kompetencë të Përgjithshme realizuan një kontroll të përforcuar aksional në fushën e trafikut, ku u shqiptuan 326 masa ndaj shoferëve që nuk kanë respektuar rregullat dhe dispozitat e komunikacionit.
Prej tyre, 92 masa janë shqiptuar për drejtim të motoçikletës pa helmetë mbrojtëse, nëntë masa për drejtim pa kategorinë përkatëse, katër masa për motoçikleta të paregjistruara, gjashtë masa për kalim në semafor të kuq dhe shtatë masa për mosndalim sipas shenjës së dhënë, si dhe shkelje të tjera.
Gjatë kontrollit është konstatuar edhe një vepër penale “drejtim i pakujdesshëm i automjetit” sipas nenit 297-a të Kodit Penal. Po ashtu, përkohësisht është sekuestruar një automjet për shkak të dyshimeve për parregullsi teknike (zhurmë e tepërt).
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat dhe dispozitat e trafikut, me qëllim që së bashku të kontribuojmë për një komunikacion më të sigurt.










