Zëvendëskancelari gjerman Lars Klingbeil ka ashpërsuar qëndrimin ndaj presidentit amerikan Donald Trump për luftën me Iranin, pak ditë përpara udhëtimit të tij në Shtetet e Bashkuara për takimin e ministrave të Financave të G20.
“Ky është mesazhi më i rëndësishëm, edhe për SHBA-në: përfundoni këtë luftë”, deklaroi Klingbeil më 28 gusht.
Ministri gjerman i Financave nuk u ndal vetëm te kërkesa për përfundimin e konfliktit. Ai ia atribuoi drejtpërdrejt Trumpit përgjegjësinë për nisjen e luftës dhe e lidhi atë me rritjen e çmimeve të karburanteve.
“Donald Trump është përgjegjës për luftën e papërgjegjshme që filloi në Iran. Këto janë pasojat që shohim në stacionet e benzinës”, deklaroi Klingbeil.
Deklaratat vijnë përpara takimit të ministrave të Financave të vendeve të G20, që do të zhvillohet të hënën dhe të martën në Asheville të Karolinës së Veriut. Takimi paraprin samitin e G20 të planifikuar në Miami në dhjetor.
Klingbeil ka rikthyer në diskutim edhe propozimin e tij për vendosjen në nivel europian të një takse mbi fitimet e tepërta të kompanive të naftës.
Sipas zëvendëskancelarit gjerman, kompanitë po përfitojnë financiarisht nga situata gjeopolitike dhe rritja e çmimeve.
“Ato po mbushin xhepat e tyre! Kjo duhet të ndalet”, tha Klingbeil.
Propozimi për taksimin e fitimeve të tepërta të kompanive të naftës pritet të diskutohet edhe në takimin e ministrave të Financave të Bashkimit Europian, të planifikuar për më 19 shtator në Dublin.






