Operacionet e kërkim-shpëtimit në Nepal vijojnë prej katër ditësh, ndërsa kushtet e këqija atmosferike kanë penguar ndërhyrjet nga ajri në zonat e prekura nga përmbytjet masive.
Nepali mund të ketë nevojë për deri në 5 miliardë dollarë për rindërtimin pas katastrofës. Ministri i Financave, Swarnim Wagle, tha se kjo shifër është vetëm një vlerësim paraprak, ndërsa dëmet dhe humbjet vijojnë të vlerësohen.
Përmbytjet besohet se janë shkaktuar nga shkrirja e një akullnaje në zonat e larta malore, e cila shkaktoi një rrjedhë masive uji drejt luginave dhe solli pasoja katastrofike.
Bilanci i viktimave në Nepal ka shkuar në 626 persona, ndërsa sipas agjencisë kineze Xinhua, shtatë persona janë konfirmuar të vdekur në Tibet.
Situata mbetet veçanërisht shqetësuese për shkak të numrit të lartë të personave të zhdukur. Agjencia nepaleze e menaxhimit të fatkeqësive raportoi se 2 mijë e 426 persona rezultojnë të zhdukur në Nepal, ndërsa në Tibet numri i të zhdukurve raportohet në 554. Në total, bëhet fjalë për afro 3 mijë persona të zhdukur.
Deri tani, në Nepal janë shpëtuar më shumë se 3 mijë e 700 persona, ndërsa sipas Kryqit të Kuq, rreth 93 mijë persona janë prekur nga katastrofa.











