Në mbledhjen e mbajtur dje, Bordi Ekzekutiv i Partisë FDP Qyteti i Cyrihut vendosi të propozojë tre kandidatë për zgjedhjet në Këshillin Ekzekutiv të Qytetit të Cyrihut, që do të zhvillohen më 4 shtator. Ndër emrat e përzgjedhur spikat ai i Përparim Avdilit, i cili përveç kandidaturës si anëtar i Këshillit, është propozuar edhe si kandidat për kryebashkiak të Cyrihut.
Avdili, me prejardhje shqiptare, është aktualisht drejtor financiar në organizatën jofitimprurëse “libs”, ku mbështet mbi 1,500 praktikantë në sektorët teknikë dhe industrialë. Ai është rritur në lagjet Altstetten dhe Albisrieden të Cyrihut dhe njihet për përfshirjen e tij aktive në jetën sociale dhe profesionale të qytetit.
Në komunikatën zyrtare të FDP-së, Avdili përshkruhet si një figurë vepruese dhe krijuese, që ofron një vizion të freskët dhe inovativ për Cyrihun, duke e parë atë si një metropol ekonomik, kulturor dhe të dijes, me politika të qarta për përmirësimin e kushteve të jetesës në të gjitha lagjet e qytetit.
Vetë Avdili, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka ndarë rrëfimin e tij personal dhe politik, duke theksuar se është rritur në Cyrih si fëmijë emigrantësh dhe tani ka dëshirë të udhëheqë qytetin drejt një faze të re zhvillimi dhe guximi politik. Ai kritikon qasjen aktuale administrative ndaj menaxhimit të qytetit dhe shpreh ambicien për ta kthyer Cyrihun në një qendër me zë të fortë, pamje të dallueshme dhe frymë të gjallë.
Me këtë vendim, FDP-ja i hap rrugë një kandidature që përfaqëson ndryshim, integrim dhe vizion të qartë për të ardhmen e qytetit, ndërkohë që Avdili është shndërruar në një prej figurave më të përfolura në garën për drejtimin e kryeqendrës ekonomike të Zvicrës.





