Nga mesnata, benzina BS-95 është shtrenjtuar për një denarë e gjysmë dhe do të shitet me vlerë prej 87,5 denarë për litër. Ajo 98-oktane rritet për dy denarë dhe do të kushtojë 90 denarë. Një shtrenjtim minimal prej gjysmë denari ka te dizeli, i cili do të mbushet për 87,5 denarë.
Mbrëmë në mesnatë përfunduan edhe masat për karburantet, që do të thotë se në çmimet e reja janë llogaritur akcizat e rregullta prej 22 denarë për benzinën dhe 15,5 denarë për dizelin.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se vendimi i djeshëm i Komisionit Rregullator bazohet në çmimet e bursës nga java e kaluar dhe vlerësoi se javën e ardhshme mund të pritet një ulje e ndjeshme e çmimeve të karburanteve.
“Edhe më tej mbetemi vendi që ka çmimin më të ulët të benzinës dhe dizelit në rajon. Kjo ndjehet veçanërisht këtu në Manastir. Ka pika karburanti ku qarkullimi është rritur për rreth 50 për qind nga ana e qytetarëve të fqinjit tonë jugor. Kështu që, ja, ne këta tre muaj, do të thosha, i përballuam mjaft me dinjitet. Në asnjë moment nuk lejuam të kemi asnjë lloj restrikcioni në pikat e karburantit, nuk e kufizuam eksportin, përkundrazi, i hapëm portat tona që qytetarët nga vendet fqinje të mbushin karburant edhe te ne. Siguruam sasi të mjaftueshme të karburantit. Për gjysmë euro në mesatare për litër, karburantet tona ishin më të lira se ato të fqinjëve”, tha Mickoski.
Çmimet e naftës bruto në tregjet botërore shënuan rënie të theksuar, pasi SHBA-të dhe Irani arritën marrëveshje. Nafta e tipit “Brent” po tregtohet me rreth 83 dollarë për fuçi.
Ndonëse tregjet reaguan me optimizëm të madh ndaj lajmit se Ngushtica e Hormuzit do të jetë sërish e hapur, këto çmime ende janë shumë më të larta se në periudhën para luftës, kur nafta ishte rreth 70 dollarë.(INA)










