Trendy

Kristi Uka – shqiptari që drejton Kristi Transporte dhe zotëron patundshmëri në Zvicër

Para 2 javë

Kristi Transporte GmbH është një kompani që ka bërë emër në Zvicër, dhe pas saj qëndron një shqiptar me vizion dhe punë të palodhur – Kristi Uka nga Stublla e Vitisë. I ri në moshë, por me eksperiencë të madhe, Kristi është një shembull i integrimit dhe i suksesit në këtë vend, siç shkruan gazeta zvicerane në shqip LeCanton27.ch.

Nga një fillim modest në vitin 2007, kur kishte vetëm një kamion transportues, sot kompania e tij ka një flotë prej 10 kamionësh dhe furnizon kantieret e ndërtimit me beton, duke punuar me firma si gjiganti zviceran “Holcim”. Puna dhe përkushtimi i tij nuk kanë kaluar pa u vënë re: Kristi Transporte konsiderohet sot një nga firmat më të respektuara në kantonin Thurgau dhe është e vetmja me pronar shqiptar.

“Fillova me kursimet e mia dhe një kamion, punova katër vite vetëm dhe gradualisht bleva edhe kamionët e tjerë. Nuk ka qenë e lehtë, sepse kjo punë kërkon saktësi dhe kualitet,” thotë z. Uka. Sot kompania punëson shqiptarë dhe bashkëpunon me shumë firma lokale dhe ndërkombëtare, duke treguar se shqiptarët kontribuojnë fuqishëm në zhvillimin ekonomik të Zvicrës.

Krista Uka është gjithashtu një shembull i integrimit të suksesshëm. I ardhur në Zvicër si 19-vjeçar, pa zanat dhe i huaj, fillimisht punoi si kopshtar për shtatë vite. “Ato vite më afruan me natyrën dhe mësova shumë për disiplinën dhe rëndësinë e punës,” tregon ai.

Sot, ai është i respektuar jo vetëm nga komuniteti shqiptar, por edhe nga zviceranët. Përkushtimi dhe reputacioni i tij e kanë bërë të ftohet edhe në drekën presidenciale në Bernë, organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve pranë OKB-së (APES), ku morën pjesë mbi 30 gazetarë dhe 70 personalitete të larta nga Zvicra dhe bota.

Siç thotë vetë Krista Uka:

“Puna, urtësia dhe dëshira për të arritur mund të sjellin shumë. Nuk duhet harruar asnjëherë Zotin, familjen, shoqërinë dhe komunitetin.”

Nga hiçi në 10 kamionë transportues – kjo është historia e një shqiptari që tregoi se me punë, përkushtim dhe besim, mund të arrish shumë.

Trending