Protesta qytetare në Tiranë ka shënuar 130 ditë të tubimeve dhe marshimeve kundër qeverisë. Pas marshimit në rrugët e kryeqytetit, protestuesit janë mbledhur sërish mbrëmjen e sotme para Kryeministrisë.
Tubimi është zhvilluar në një moment kur kryeministri Edi Rama ndodhej në ambientet e Kryeministrisë. Përpara godinës është vendosur kordoni policor, ndërsa efektivët kanë qëndruar përballë protestuesve të pranishëm në shesh.
Protesta ka vijuar me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë protestës ka ndodhur edhe një incident pranë godinës së Kryeministrisë. Një automjet ka dalë nga ambientet e saj, ndërsa aktivisti Edison Lika është afruar dhe e ka goditur me vezë.
Pas incidentit, Lika është larguar me vrap. Efektivët e policisë, të cilët ndodheshin në zonë, janë vënë në ndjekje të tij dhe më pas e kanë arrestuar.
Incidenti ka ndodhur pasi protestuesit ishin rikthyer para Kryeministrisë pas marshimit.
Policia vijon të mbajë të rrethuar zonën pranë Kryeministrisë, ndërsa protesta vijon me pjesëmarrjen e qytetarëve të mbledhur në shesh.













