Protesta e studentëve në Tiranë vijon të shoqërohet me incidente, ndërsa një grup protestuesish ka hyrë brenda një pike të institucionit financiar Iute Credit, duke marrë orendi nga ambientet e biznesit dhe duke u vënë flakën në mes të rrugës.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, orenditë janë nxjerrë nga ambientet e biznesit dhe janë hedhur në vatrat e zjarrit që protestuesit kanë ndezur në disa segmente rrugore në qendër të kryeqytetit.
Situata është përqendruar kryesisht në Rrugën e Durrësit dhe rrugën “Mine Peza”, ku janë krijuar disa vatra zjarri. Krahas orendive të marra nga biznesi, protestuesit po djegin edhe materiale reklamash dhe tenda të vendosura në zonat ku po zhvillohet tubimi.
Protesta vijon prej më shumë se katër orësh, ndërsa një pjesë e pjesëmarrësve kanë qëndruar në rrugë pavarësisht ndërhyrjeve të mëparshme të forcave të policisë.
Në zonë ndodhen forca të shumta policie, të cilat po qëndrojnë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast të përshkallëzimit të situatës. Sipas informacioneve nga terreni, janë pozicionuar edhe katër autobotë me ujë me presion.
Më herët, gjatë protestës së nisur para Ministrisë së Arsimit, u regjistruan përplasje mes protestuesve dhe efektivëve, ndërsa policia përdori ujë me presion dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.
Ndërkohë, vatrat e zjarrit në Rrugën e Durrësit dhe rrugën “Mine Peza” janë ndër zhvillimet e fundit të protestës, e cila vijon në qendër të Tiranës.











