Dy punonjës të Spitalit të Përgjithshëm me kompetenca të zgjeruara “Borka Taleski” në Prilep janë akuzuar për përvetësim të më shumë se 2.2 milionë denarëve (rreth 36,800 euro) nga pagesat e pacientëve për shërbime shëndetësore dhe pjesëmarrje.
Sipas njoftimit të Policisë Financiare, të dy të akuzuarit, të identifikuar si I.M. dhe S.Ç., në periudhën nga 1 gushti 2024 deri më 30 prill 2025, kanë përvetësuar në mënyrë të paligjshme fonde nga arka e spitalit që ishin paguar nga pacientët për shërbime shëndetësore. Shuma totale e përvetësuar arrin në 2,269,317 denarë, ku I.M. ka përvetësuar 1,991,240 denarë dhe S.Ç. 278,077 denarë.
Pas hetimeve, një nga të dyshuarit është ndaluar dhe është paraqitur para prokurorit publik për procedura të mëtejshme ligjore.
Ky rast është pjesë e një hetimi më të gjerë që përfshin kontrolle financiare në spitalin e Prilepit, ku janë sekuestruar dokumente që mbulojnë periudhën nga viti 2020 deri më sot.
Telegrafi
Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar se janë lëshuar urdhër-kërkime për tetë lokacione të ndryshme në lidhje me këtë çështje.





