Trendy

Qoku: BDI paska pasur vetëm flluska! Paska qenë nona e propagandës!

Para 1 orë

Nënkryetari i VLEN-it dhe deputeti, Bekim Qoku, ka reaguar pas zhvillimeve lidhur me emërtimin e rrugëve në Tetovë, duke akuzuar BDI-në se për vite me radhë ka manipuluar opinionin publik me vendime që, sipas tij, nuk janë përmbyllur sipas procedurave ligjore, përcjell tetova1

Përmes një postimi publik, Qoku tha se vendimi i vitit 2007 për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë nuk është miratuar asnjëherë nga Qeveria dhe nuk është regjistruar në institucionet përkatëse, duke e cilësuar këtë si një tjetër shembull të “politikës së fasadës” së BDI-së.

Ai gjithashtu akuzoi partinë opozitare për ndërhyrje në sistemin gjyqësor dhe për lidhje të ngushta me përbërjen aktuale të Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se vendimet e saj po i shërbejnë interesave politike të BDI-së.

Postimi i plotë i Qokut:

“BDI paska pasur vetëm flluska.

Paska qenë nona e propagandës.
Fasadë e gjallë.

Ashtu siç e bënë shkel e shko themeleimin e Medresesë Isa Beu, që më pas ua hodhi poshtë gjykata, ashtu po ua hedh poshtë edhe vendimin për ndryshimin e emrave të rrugëve të vitit 2007. Edhe atë paskan ditur ta bëjnë shkel e shko, e vetëm sa për sy e faqe.
Do i mbetet VLENit ta korrigjojë edhe këtë maskaradë të pushtetit lokal të Daka Davidoviqit.

Kanë ndryshuar emrat e rrugëve në Këshillin e Komunës së Tetovës në vitin 2007, por procedurën e kanë lënë në gjysmë të rrugës, siç paskan lënë përgjysmë thuajse çdo çështje kombëtare. Vendimin e Këshillit nuk e kanë miratuar në qeveri, megjithëse krekoseshin se kishin gjysmën e qeverisë, madje edhe kryeministrin teknik. Rrugët në fjalë nuk janë regjistruar kurrë zyrtarisht as në Regjistrin Qendror, e as në Kadastër. Zyrtarisht nuk është ndërruar emërtimi i rrugëve kurrë. Në dokumete zyrtare, letërnjoftime etj. kanë figurar emrat e vjetër.

Kjo, ta zëmë, nuk ka ndodhur me riemërtimin e rrugëve në Shkup. Rreth 100 rrugë dhe bulevarde morën emrat e heronjve, rilindësve dhe figurave të shquara të kulturës shqiptare në vitin 2023. Por ajo procedurë u realizua me themel dhe u përmbyll sipas të gjitha procedurave ligjore.

Megjithatë, duket se ekziston një tango gjarpërinjsh midis BDI-së, Gjykatës Kushtetuese dhe kryetarit të saj kontrovers, Darko Kostadinovski. Ky i fundit po i jep oksigjen një krijese politike që po shuhet, hirin e së cilës e paska përdorur t’ua hedhë syve qytetarëve dhe votuesve të saj.

Përbërja e kësaj Gjykate është votuar kryesisht në kohën kur BDI kishte ndikim vendimtar në pushtet. Dihet sheshit (sepse dolën edhe në përgjime) që BDI ka pasur ndërhyrje flagrante në gjyqësor. Për këto ndërhyrje ajo ka në Listën e zezë të DASH-it isht zv. KM Grubi i cili akuzohet se ka ndërhyrë në gjykata për t’ia hequr lakun nga qafa mikut dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të BDI-së Sasho Mijallkovin. Në Listën e zezë është edhe një gjykatës i caktuar nga BDI që mbajti në sirtar lëndët e Sasho Mijallkovit.

Madje, ish-kryetari i saj sot është deputet i BDI-së. Kjo flet për një lidhje të fortë mes BDI-së dhe kësaj gjykate, anëtarët e së cilës duket se po i bëjnë shërbimet e fundit një partie që po humb mbështetjen e qytetarëve”, përfundon Qoku./tetova1.mk

Trending