Deputeti i Koalicionit VLEN, Bekim Qoku, ka lëshuar një deklaratë të fortë ku godet frontalisht opozitën dhe “indiferencën mbresëlënëse” të shtetit amë gjatë dy dekadave të fundit. Sipas tij, Shqipëria po reagon sot më shumë se kurrë, ndërkohë që heshti për tragjeditë si “Monstra” dhe “Lagjja e Trimave”.
Tirana “u zgjua” vetëm kur erdhi VLEN-i?
Qoku ka theksuar se është ironike se si Shqipëria zyrtare, e cila tregoi një indiferencë totale për 24 vite ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, sot është tejet aktive në reagime.
“Në asnjë nga tragjeditë – 27 Prilli, Kumanova, Monstra, rasti i Almirit apo Sopoti – nuk patëm reagime të përshtatshme nga shteti amë. Në rastin më të mirë, reagonin si të ishin Danimarka,” deklaron Qoku.
Skandali i Gjykatës Kushtetuese dhe “Dora e BDI-së”
Një nga pikat më të nxehta të deklaratës është akuza se BDI po përdor Gjykatën Kushtetuese si mjet për të krijuar tensione artificiale. Qoku sqaron se:
• Përbërja aktuale e Gjykatës është votuar nga vetë BDI.
• Ish-kryetari i kësaj Gjykate është sot deputet i BDI-së.
• Kryetari aktual po luan një “lojë diabolike” për të ushqyer retorikën nacionaliste të opozitës.
Gjuha Shqipe dhe “Gënjeshtrat e Trashëguara”
Deputeti i VLEN-it ka demaskuar atë që ai e quan propagandë të koordinuar mes Shkupit, Prishtinës dhe Tiranës lidhur me Provimin e Jurisprudencës. Ai sqaron se ky provim nuk është mbajtur kurrë në shqip gjatë 24 viteve të fundit, dhe është pikërisht VLEN-i që do ta korrigjojë këtë padrejtësi.
“Kombi dhe gjuha nuk mbrohen në tempuj të korrupsionit si Soravia apo Eurovia. Boll na kanë hedhur hi syve për 22 vjet!” – përfundon prerë Qoku. (INA)










