Rajoni më verior i Norvegjisë, Finmark, i ka kërkuar Komisionit Evropian që të miratojë vendosjen e një zone kohore ku dita të zgjasë 26 orë.
Sipas autoriteteve lokale, kjo kërkesë erdhi nga kryetari i bashkisë Vadso, kërkesë kjo që nga shumë konsiderohet e çuditshme, por thonë se kjo synon të promovojë vlerat lokale, të rrisë kohën për familjet dhe të tërheqë banorë të rinj në rajon.
Në letrën e tyre drejtuar Komisionit Evropian, i cili konfirmoi se kishte marrë kërkesën, autoritetet lokale në rajonin e Finmarkut i kërkojnë KE-së të urdhërojë autoritetet norvegjeze të miratojnë krijimin e një zone kohore me një ditë 26-orëshe në vend të 24 orë në ditë.
“Ne nuk kemi menduar shumë se si do të funksionojnë zonat e reja kohore në praktikë. Unë nuk mendoj se KE do ta miratojë këtë propozim, kështu që ne nuk kemi përpunuar të gjitha detajet”, ka thënë Vence Pedersen, kryebashkiaku i Vadsos, duke theksuar se ky rajon po përballet me vështirësi për të tërhequr banorë të rinj.