Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestën, duke akuzuar për ndërhyrje të huaja dhe duke paralajmëruar se dhuna nuk do të tolerohet. Ndërkohë, Qeveria do të ngrejë 10 grupe verifikimi për të evidentuar dëmet në bizneset e vogla në Tiranë, të cilat do të mbështeten financiarisht pas përfundimit të verifikimeve.
Rama ka publikuar pamje nga një biznes i dëmtuar gjatë protestave, duke njoftuar se subjektet e prekura do të kenë mundësi të regjistrojnë dëmet dhe të dorëzojnë dokumentacionin përkatës përmes një dritareje të posaçme në platformën e-Albania, me emërtimin “Dëmi im”.
Sipas kryeministrit, 10 grupe nga administrata tatimore do të dalin në terren për të mbledhur të dhënat dhe për të verifikuar dëmet e shkaktuara në bizneset e vogla në kryeqytet. Pas krijimit të regjistrit të dëmeve dhe përfundimit të kontrolleve, qeveria synon të ndihmojë subjektet e prekura.
Kreu i Qeverisë iu drejtua edhe studentëve që kanë marrë pjesë në protestë, duke deklaruar se kërkesat dhe shqetësimet e tyre do të dëgjohen me respekt. Megjithatë, ai theksoi se e drejta për të protestuar nuk duhet të shoqërohet me akte dhune dhe dëmtim të pronës.
Ai përsëriti gjithashtu pretendimet për përfshirjen e duarve të huaja në protestë, duke e cilësuar përgjegjësi të qeverisë mbrojtjen e qytetarëve dhe garantimin e sigurisë.
“Përgjegjësia ime është më e qartë në këto orë të vështira: të mbroj qytetarët tanë, të garantoj drejtësinë bashkë me këtë qeveri të shumicës, që ka të qartë mandatin e saj, atë të Shqipërisë së vitit 2030”, përfundoi kryeministri.











