Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama thotë se do i lexojë mesazhet e protestës në Tiranë, teksa i ndan ata të cilët protestojnë për problematike reale. Në një bashkëbisedim me pensionistët, Rama tha se në Bulevard, dikur janë vrarë njerëz, e sot protestojnë.
Rama shtoi se mercenarë nga Prishtina dhe Tetova kanë ardhur në protestë dhe janë shfaqur si përfaqësues të diasporës. “Unë e bëj ndarjen e atyre që protestojnë që kanë probleme reale, duke filluar nga ana që i kanë shqetësimet e sinqerta, për fatet e zogjve. Në këtë bulevard janë vrarë njerëz për të protestuar. Sot është gjë shumë e madhe që Tirana është bërë si karnavalet e Brazilit. Kjo tregon se ne kemi krijuar kushtet që në këtë vend të lulëzojë demokracia. Çohu nga kafja, thoshin skuadronet e Musolinit, përpara se të vendoset ajo që erdhi mbrapa. Kush do të rrijë në kafe, të rrijë në kafe. Kush do të protestojë, të protestojë. Po përpiqemi të lexojmë mesazhin. Protesta nuk është ajo kur vijnë mercenarë nga Prishtina dhe Tetova, që bëjnë si diasporë. Askush nga ne nuk është populli. Populli është ai që flet kur vijnë zgjedhjet. “, theksoi ai.










