Trendy

Rama: Jemi të dashuruar me Evropën, duam të martohemi me BE-në dhe do t’ia dalim pavarësisht gjithçkaje

Para 2 ditë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka rikonfirmuar objektivin strategjik të vendit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian gjatë fjalës së tij në Forumin Botëror të Investimeve “Future Investment Initiative” (FII).

Rama e cilësoi Bashkimin Evropian si projektin më të guximshëm politik në historinë e njerëzimit, ndërsa përdori metaforën e një martese për të përshkruar aspiratën e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, raportoi A2 CNN.

Sipas tij, shqiptarët janë të dashuruar me Evropën dhe, pavarësisht paralajmërimeve apo vështirësive që mund të shoqërojnë procesin e integrimit, vendi mbetet i vendosur për të realizuar këtë objektiv.

“Mendoj që BE është imagjinata më e mrekullueshme, më e mahnitshme dhe më e guximshme e njerëzimit kur bëhet fjalë për politikën. Ne jemi të dashuruar me Evropën. Kështu jam i sigurt që shumë njerëz këtu e dinë se kur bie në dashuri, të gjithë të thonë: ‘Mos nxito të martohesh, sepse ne e dimë se ç’është’”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se kjo nuk do ta ndalojë Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

“Por kjo nuk do të të ndalojë të martohesh. Ne duam të martohemi me Evropën sepse është vendi i duhur për të qenë. Se si do të shpalosen gjërat është një histori tjetër, por ne e duam këtë martesë, jemi të fiksuar pas saj. Do t’ia arrijmë pavarësisht gjithçkaje dhe herët më shumë se vonë”, tha kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Trending