Trendy

Raporti i OKB-së: Militantët dhe policia ekzekutuan dhe gjymtuan dhjetëra palestinezë në Gaza

Para 1 orë

Militantët dhe njësitet policore të Hamasit në Gaza rrahën, gjymtuan dhe ekzekutuan publikisht dhjetëra palestinezë gjatë luftës së këtij grupi me Izraelin në akte që përbëjnë krime lufte, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara që u publikua të martën.

Raporti i Zyrës së Komisionarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut dokumentoi qindra raste të ndëshkimeve jashtëgjyqësore në territorin e kapluar nga lufta, për të cilat tha se shpesh ishin reklamuar gjatë dhe pas akteve për të futur frikë te popullsia, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

“Këto raste përfshinë ekzekutime, gjunjëzime, thyerje eshtrash me gypa metali ose tulla betoni dhe rrahje dhe u paraqitën nga autorët si ndëshkime për bashkëpunimin e pretenduar me Izraelin, plaçkitjen e ndihmave humanitare, vjedhjen, shkeljet që lidhen me drogën ose afërsi me rivalët e brendshëm” – thuhet në raport.

Komisioni zbuloi se militantët dhe forcat policore të lidhura me Hamasin ishin të përfshira në pothuajse çerekun e 249 rasteve të dokumentuara – përfshirë 108 vdekje – nga gushti i vitit 2024 deri në janarin e vitit 2026. Komisioni në mënyrë specifike i hetoi rastet që i përfshinin forcat e lidhura me Hamasin, por i llogariti edhe ato që u janë atribuuar grupeve të tjera të armatosura.

Disa përfaqësues të Hamasit nuk iu përgjigjën pyetjeve rreth pretendimeve të paraqitura në këtë raport.

Sipas raportit të publikuar të martën, në vend se të zbatoheshin nga gjykatat apo gjykatësit, ndëshkimet u kryen nga krahu ushtarak dhe njësitet policore të Hamasit.

Srinivasan Muradhar, kryesues i komisionit të OKB-së, tha se abuzimet e dokumentuara në Gaza po ndodhnin “në një mjedis të inxhinieruar nga Izraeli”, ku forcat e lidhura me Hamasin e kanë shfrytëzuar boshllëkun e krijuar nga sulmet e pamëshirshme izraelite dhe shkatërrimi i gjerë.

Trending