Trendy

Reagimi i këshilltarit të Lëvizjes Besa në Tearcë, Rami Selmani: Vendosja e tabelave informuese vetëm në maqedonisht është fyerje për qytetarët komunës Tearcës

Para 9 muaj

Këshilltari komunal nga radhët e Lëvizjes Besa në Komunën e Tearcës ka reaguar ashpër ndaj vendosjes së tabelave informuese për punimet e rrugës Dobrosht-Nerasht vetëm në gjuhën maqedonase, duke e cilësuar këtë veprim si ofendues për banorët e zonës, të cilët janë 100% shqiptarë.

Në reagimin e tij, këshilltari ka theksuar se projekti për asfaltimin e kësaj rruge është vonuar për më shumë se një vit, i shoqëruar me tentime për manipulime tenderash dhe anulime që kanë shkaktuar humbje financiare për komunën. Ai gjithashtu kritikoi ashpër kryetarin e komunës, Nuhi Neziri, për neglizhencë dhe mungesë respekti ndaj shumicës shqiptare të qytetarëve të Tearcës.

“Në një komunë me shumicë shqiptare, veçanërisht në një vendbanim si Nerashti me 100% shqiptarë, është e papranueshme që të vendosen tabela informuese vetëm në gjuhën maqedonase. Ky është një akt i qëllimshëm që tregon mungesën e respektit të kësaj udhëheqjeje për qytetarët shqiptarë,” tha këshilltari i Lëvizjes Besa.

Ai shtoi se qytetarët e Tearcës nuk do të tolerojnë sjellje të tilla dhe se në zgjedhjet e ardhshme lokale do të tregojnë me votë pakënaqësinë e tyre:
“Komuna e Tearcës meriton më mirë. Kryetari i komunës dhe udhëheqja e tij kanë ditët e numëruara. Qytetarët tanë do të tregojnë me votën e tyre se meritojnë një drejtim të ndershëm dhe të respektueshëm.”

Trending