Trendy

Reagon Haqim Ramadani: Nuk varem nga fati i Jovicës!

Para 4 orë

Pas lajmit se është punësuar në komunën e Çairit, ka reaguar ish kandidati për komunën e Bërvenicës, Haqim Ramadani.

Përgjigjja, sipas tij, është e thjeshtë, “sepse është e vetmja rrugë e ndershme”. Asnjëherë, shton ai, “nuk kam qenë nga ata që fshihen pas dyerve të zyrave, duke pritur një funksion ‘të përshtatshëm’ dhe duke parë vetëm interesin personal”.

“Shpesh më pyesin pse gjithmonë zgjedh rrugën më të vështirë. Gjithmonë kam luftuar hapur, drejtpërdrejt dhe me përgjegjësi. Kudo që ka qenë e nevojshme, kam qëndruar drejt në emër të qytetarëve, pa kalkulime dhe pa frikë. Asnjëherë nuk kam qenë nga ata që fshihen pas dyerve të zyrave, duke pritur një funksion ‘të përshtatshëm’ dhe duke parë vetëm interesin personal”, thotë në reagimin e tij, Ramadani.

Fytyra ime është e pastër. Kam jetuar dhe jetoj nga paga ime, prandaj kam nevojë që edhe sot të punoj për të mbajtur familjen time, shton ai.

“Ndryshe nga disa të tjerë që funksionet i kanë parë dhe i shohin si mjet për pasurim personal, e që sot më atakojnë pse unë qenkam angazhuar dhe punësuar. Unë qëndroj ballëlartë, sepse ndërgjegjen dhe biografinë e kam të pastër me më shumë se 15 vite përvojë në pushtetin lokal”, ka thënë Ramadani.

Ai postimin e tij e përmbyll me fjalët: E vërteta gjithmonë del në sipërfaqe, ndërsa karakteri njihet pikërisht në kohë të tilla. Vazhdojmë përpara, me kokën lart!

Trending