Çmimet e naftës në bursat botërore kanë shënuar sot një rritje prej rreth 2 për qind, pasi të dhënat zyrtare të publikuara nga Administrata Amerikane për Informacionin e Energjisë (EIA) treguan rënien e gjashtë javore radhazi të rezervave të naftës së papërpunuar në SHBA.
Ky zhvillim ka nxitur një valë të re shtrenjtimi në tregun global të energjisë. Nafta referuese ndërkombëtare Brent Crude u rrit në rreth 97.6 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) arriti në 95.7 dollarë për fuçi.
Sipas raportit të EIA-s, rezervat e naftës së papërpunuar në SHBA javën e kaluar ranë me 7.97 milionë fuçi, që përbën rënien më të madhe javore që nga shkurti dhe është pothuajse dyfish më e lartë se parashikimet e analistëve, të cilët prisnin një ulje prej rreth katër milionë fuçish.
Përveç faktorëve të tregut, rritja e çmimeve është nxitur edhe nga zhvillimet gjeopolitike dhe deklaratat e Donald Trump se Irani gjoja ka pranuar të mos zhvillojë armë bërthamore, si dhe nga sinjalet për një takim të mundshëm me liderin suprem iranian Mojtaba Khamenei.
Megjithatë, tensionet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mbeten të larta, ndërsa vazhdojnë negociatat për një marrëveshje të përkohshme paqeje. Situata është ndërlikuar më tej nga operacionet e reja ushtarake izraelite në territorin e Libanit.
Në përpjekje për të ulur tensionet, presidenti amerikan Donald Trump, gjatë një bisede telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ka bërë thirrje për deeskalim të menjëhershëm të konfliktit ushtarak në rajon.
Tregjet mbeten shumë të paqëndrueshme edhe pas incidentit të natës së kaluar, ku forcat amerikane dhe iraniane u përfshinë në një nga përballjet më serioze direkte që nga fillimi i armëpushimit. Pasojat e konfliktit tashmë kanë prekur edhe Kuvajtin dhe Bahreinin.










