Trendy

Rrjedhja sekrete që zbuloi 100 agjentë britanikë dhe 19 mijë emra të afganëve

Para 8 muaj

Mbretëria e Bashkuar është tronditur nga një prej skandaleve më të mëdha të sigurisë së brendshme: më shumë se 100 agjentë të MI6, trupa të forcave speciale dhe pjesëtarë të SAS rezultojnë të jenë ekspozuar pas një rrjedhjeje masive të të dhënave, që preku mbi 19 mijë aplikantë afganë të programit për zhvendosje në Britani.

Informacionet e ndjeshme, përfshirë të dhënat personale të afganëve dhe emrat e mbështetësve britanikë, u shpërndanë në mënyrë “të pavetëdijshme” nga një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes në shkurt 2022, por skandali u bë publik vetëm në gusht 2023, kur lista qarkulloi në Facebook.

Përveç afganëve, në dokument figuronin edhe anëtarë të parlamentit, oficerë të lartë ushtarakë dhe zyrtarë të qeverisë britanike, duke e kthyer këtë në një rast flagrant të cënimit të sigurisë kombëtare.

Pas heqjes së një super-urdhri gjyqësor, ministri aktual i Mbrojtjes, John Healey, kërkoi falje zyrtare në parlament, duke e cilësuar si një “gabim serioz brenda ministrisë”, ndërsa opozita ngriti alarmin për mundësinë e shantazhit dhe manipulimit të informatave nga aktorë të tretë.

Ky skandal i paprecedent pritet të ketë pasoja afatgjata për kredibilitetin e sistemit britanik të mbrojtjes dhe të sigurisë.

Trending