Rrjeti i vjetëruar i ujësjellësit në Tetovë vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha infrastrukturore për qytetin, duke shkaktuar telashe të shumta dhe të njëpasnjëshme për ekipet e Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK) “Sharri”. Në përditësimet që kjo ndërmarrje bën rregullisht në rrjetet sociale, është bërë pothuajse e përditshme prania e njoftimeve për defekte të reja në pika të ndryshme të rrjetit brenda në qytet. Këto avari të shpeshta jo vetëm që rëndojnë punën e punëtorëve teknikë në terren, por shpeshherë lënë pa ujë të pijshëm me mijëra qytetarë, duke vështirësuar jetën e tyre të përditshme.
Vetëm brenda javës së kaluar, defekte serioze në rrjetin e ujësjellësit u shënuan në lokacione mjaft të frekuentuara, siç është rruga industriale e njohur si “Vidoja Smilevski-Bato”, si dhe në rrugën “146”. Riparimi i këtyre tubacioneve kërkon ndërhyrje të shpejta dhe shpeshherë bllokon edhe qarkullimin, duke krijuar kaos shtesë në qytet.
Për më tepër, java e kaluar shënoi një moment mjaft shqetësues për tetovarët, pasi pas një kohe të gjatë u rikthyen restrikcionet e ujit të pijshëm. Përmes një njoftimi zyrtar, NPK “Sharri” bëri të ditur se për shkak të presionit të pamjaftueshëm në rrjetin e ujësjellësit, ishin të detyruar të aplikonin një ndërprerje të përkohshme gjatë natës, konkretisht nga ora 01:00 deri në ora 04:30. Edhe pse ky kufizim zgjati vetëm një natë dhe situata u stabilizua shpejt duke iu rikthyer furnizimit të rregullt, ai shërbeu si një alarm për gjendjen e brishtë të sistemit të ujësjellësit, njoton Tetova1.
Kjo situatë dëshmon se zgjidhjet e përkohshme dhe riparimet e përditshme të defekteve nuk mjaftojnë më. Qytetarët e Tetovës vazhdimisht bëjnë thirrje për një investim afatgjatë dhe rindërtim të plotë të rrjetit të vjetëruar, në mënyrë që të garantohet një furnizim stabil dhe cilësor me ujë të pijshëm, pa pasur frikën e ndërprerjeve të reja apo restrikcioneve të radhës. Në këtë rrjet që është mjaft I vjetëruar defektet shkaktojnë mungesë të ujit por njëkohësisht edhe humbje të sasive të mëdha të ujit. Problem në vete është se rrjeti I ujësjellësit është projektuar që para 50 viteve kur qyteti kishte më pak banorë, ndërsa tashmë është rritur dukshëm numri i banorëve dhe amvisërive nga ajo kohë











