Trendy

Shasivari: Mos më atribuoni një qëndrim që nuk e kam thënë

Para 6 ditë

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka reaguar pas, siç thotë ai, tentativave për të shtrembëruar dhe keqinterpretuar qëndrimin e tij lidhur me Gjykatën Speciale dhe zhvillimet që priten më 16 shtator, përcjell tetova1

Shasivari ka rikujtuar deklaratën e tij të mëhershme, në të cilën kishte thënë se më 16 shtator nuk duhet të gjykojë rruga, politika apo emocionet, por gjykata.

Ai thekson se kjo deklaratë, sipas tij, nuk nënkupton mbështetje për Gjykatën Speciale.

“Mos më atribuoni një qëndrim që nuk e kam thënë”, ka shkruar Shasivari, duke shtuar se nuk e ka mbështetur dhe as nuk i ka mbledhur votat për themelimin e Gjykatës Speciale.

“Unë as e kam mbështetur dhe aq më pak ia kam mbledhur votat Gjykatës Speciale, siç kanë bërë Ali Ahmeti e Berat Buzhala, që e pranojnë edhe vetë”, është shprehur ai.

Sipas Shasivarit, Gjykata Speciale tashmë është realitet dhe, siç thotë ai, kjo ka ardhur si pasojë e angazhimit të dikujt tjetër, ndërsa tani mbetet të përballen me pasojat.

“Ajo sot është realitet si pasojë e angazhimit të dikujt. Neve na mbetet të merremi me pasojat”, ka deklaruar ministri.

Shasivari ka sqaruar se thirrja e tij e mëhershme, sipas tij, ishte në interes të Republikës së Kosovës, imazhit të UÇK-së dhe shqiptarëve në përgjithësi.

“Prandaj, në vend që të më atribuoni diçka që nuk e kam thënë, lexoni atë që kam thënë në të vërtetë”, ka shkruar ai.

Në fund, ministri i Drejtësisë i ka cilësuar keqinterpretimet dhe shtrembërimet si produkt të, siç shprehet ai, “atyre që përdorin çdo gjë të shenjtë në betejë politike”.

“MESAZH PËR KOSOVËN: DREJTËSIA NUK KA ANË POLITIKE

Më 16 shtator nuk duhet të gjykojë rruga, politika apo emocionet. Do të flasë gjykata.
Dhe çfarëdo që të jetë vendimi, ai duhet të respektohet, me ç’rast palët e kanë të drejtën e ankesës.
Në këtë proces, në qendër duhet të jenë të gjithë personat që pretendojnë se kanë qenë viktima të veprave penale, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike – shqiptarë, serbë, romë apo të tjerë – si dhe të drejtat e çdo të akuzuari.
Për faktet, përgjegjësinë dhe fajësinë mund të vendosë vetëm gjykata, mbi bazën e provave dhe ligjit. Asnjë deklaratë politike nuk mund ta zëvendësojë vlerësimin gjyqësor të provave dhe as të paragjykojë fajësinë apo pafajësinë.
Një Kosovë që synon standardet evropiane nuk mund të zgjedhë cilat viktima do t’i dëgjojë dhe cilat do t’i harrojë. Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë.
Kosova nuk ka nevojë për presion politik mbi drejtësinë. Ka nevojë për besim në drejtësi.
Si Ministër i Drejtësisë, besoj se përgjegjësia institucionale është e qartë: pavarësia e gjyqësorit duhet të garantohet, vendimet gjyqësore duhet të respektohen, ndërsa të drejtat e çdo viktime dhe të çdo të akuzuari duhet të mbrohen në përputhje me ligjin.
Institucionet e Kosovës duhet ta përballojnë këtë moment me qetësi, përgjegjësi dhe maturi shtetërore.
Në një demokraci funksionale, forca e shtetit nuk matet me reagimin ndaj një vendimi, por me aftësinë për ta respektuar ligjin dhe institucionet pikërisht atëherë kur kjo është më e vështirë.
Prandaj, mesazhi im institucional për Kosovën është i thjeshtë:
Respektoni gjykatën. Respektoni vendimin. Mbroni integritetin e institucioneve.
Sepse drejtësia nuk i përket një partie, një qeverie apo një individi.
Drejtësia i përket shtetit dhe të gjithë qytetarëve të tij.
Ky është standardi evropian” ka përfunduar Shasivari./tetova1.mk

Trending