Pentagoni ka njoftuar se ish-majori i ushtrisë amerikane, Nidal Malik Hasan, do të ekzekutohet me pushkatim, një procedurë që nuk është përdorur prej dekadash për ekzekutimet ushtarake në Shtetet e Bashkuara, raporton BBC.
Hasan, i cili shërbente si psikiatër në ushtrinë amerikane, u dënua me vdekje për sulmin e vitit 2009 në bazën ushtarake Fort Hood, në Teksas. Nga të shtënat humbën jetën 13 persona, ndërsa 32 të tjerë mbetën të plagosur.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, bëri të ditur të hënën në rrjetet sociale se Sekretari i Luftës, Pete Hegseth, kishte rekomanduar ekzekutimin dhe se presidenti Donald Trump kishte dhënë miratimin.
Sipas njoftimit, i takon Sekretarit të Ushtrisë të përcaktojë datën, orën dhe vendin e ekzekutimit.
Hasan u shpall fajtor për 13 akuza për vrasje me paramendim dhe 32 akuza për tentativë vrasjeje. Një trup gjykues i përbërë nga 13 oficerë votoi unanimisht për dënimin e tij me vdekje.
Sulmi ndodhi në vitin 2009, kur Hasan hapi zjarr në bazën Fort Hood. Gjatë procesit gjyqësor, ai pranoi se kishte qenë autori i të shtënave dhe kërkoi falje për ato që i përshkroi si “gabime”.
Nëse ekzekutimi kryhet sipas njoftimit të Pentagonit, ai do të shënojë rikthimin e pushkatimit si metodë ekzekutimi në sistemin ushtarak amerikan pas më shumë se gjashtë dekadash.











