Refuzimi që në seancën e Këshillit të Komunës së Tetovës të diskutohet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e emrave të rrugëve dhe shesheve ka shkaktuar reagim tek Bashkimi Demokratik për Integrim. Me këtë rast grupi i këshilltarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë kërkon që në seancën e këshillit, e cila do të mbahet ditën e hënë, si pikë e parë e rendit të ditës të jetë propozim vendimi për emërtimin dhe riemërtimin e rrugëve.
“Konstatojmë me keqardhje se, edhe përkundër kërkesës sonë për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme, ku do të diskutohej vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e emrave të rrugëve dhe sheshit të Tetovës nga viti 2007, udhëheqësia komunale zgjodhi t’a refuzojë këtë kërkesë. Po ashtu, edhe përkundër kërkesave tona të vazhdueshme për miratimin e një vendimi të ri për emërtimin dhe riemërtimin e rrugëve, për të cilin kemi ofruar mbështetjen e plotë të grupit tonë të këshilltarëve, në rendin e ditës së seancës së 13 korrikut nuk është paraparë as diskutim për këtë çështje. Për këtë arsye, sot grupi i këshilltarëve të AKI – Tetovë dorëzoi kërkesë për plotësim dhe ndryshim të rendit të ditës pranë Kryetarit të Këshillit Komunal. Kërkuam që si pikë e parë e rendit të ditës të vendoset: Propozim-vendim për emërtimin dhe riemërtimin e rrugëve, shesheve dhe hapësirave publike në territorin e Komunës së Tetovës. Bëhet fjalë për një propozim konkret për emërtimin e gjithsej 67 rrugëve dhe sheshit të Tetovës. Propozimi është hartuar me përkushtim dhe profesionalizëm, duke pasqyruar realitetin historik të Tetovës, duke respektuar të gjitha komunitetet etnike, si dhe trashëgiminë kulturore e historike të qytetit tonë”, deklaroi Berat Murati, këshilltar i BDI- së në Këshillin e Tetovës.
BDI më tej ka kërkuar që ky propozim i tyre të merret parasysh. “Në frymën e bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë institucionale, presim që udhëheqësia komunale ta pranojë këtë kërkesë, që propozimin ta shqyrtojmë, plotësojmë dhe ta miratojmë bashkërisht në seancën e radhës. Me këtë dëshmojmë edhe një herë se Bashkimi Demokratik për Integrim nuk kërkon polemika të panevojshme, por zgjidhje konkrete për një çështje që ka prekur rëndë dinjitetin dhe identitetin e çdo qytetari të Tetovës”, deklaroi Murati.
Megjithatë, kryetari i Këshillit, Jusuf Abduli, tha se janë të gatshëm që të debatojnë për kërkesën e tyre. Ndryshe, BDI ka paralajmëruar sërish protesta në Tetovë për ditën e shtunë. (koha.mk)










