Shkupi dje u rendit i treti në listën e qyteteve më të nxehta në Evropë, me një temperaturë ekstreme prej 41.7 gradë Celsius të regjistruar në fshatin Petrovec, në intervalin kohor mes orës 14:00 dhe 15:00. Këtë e bëri të ditur portali meteorologjik “Ogimet”, që mbledh të dhëna për motin nga e gjithë bota.
Në krye të listës u rendit qyteti turk Ajdin me 42.6°C, i ndjekur nga Fetie (Turqi) me 41.7°C. Vala e të nxehtit ka përfshirë pjesën më të madhe të Turqisë, me temperatura mbi 41°C në qytete si Urfa, Antalia, Dikili, Izmir dhe Manisa.
Pas Shkupit, temperaturë të barabartë prej 41.2°C u shënua edhe në qytetin Merida në Spanjë dhe Ser në Greqi.
Në nivel global, temperatura më e lartë sot u regjistrua në Kuvajt me 47.2°C, ndërsa më e ftohta në bazën ruse të Antarktidës, Vostok, me -75.5°C. Ndërkohë, vendbanimi më i nxehtë mesatarisht gjatë 24 orëve të fundit ishte Xhaloni në Oman me 44°C, ndërsa reshjet më të mëdha ranë në Indi dhe erërat më të forta u regjistruan në Grenlandë.
Trending





