Mile Janakieski, Spiro Ristovski dhe Trajko Veljanovski mund të lirohen nga lënda “Organizatorët e 27 prillit”, pasi Prokuroria sot dorëzoi mendim në Gjykatën në të cilën u pajtuan me qëndrimin e mbrojtjes se duhet të zbatohet ligji i vitit 2018 për amnisti në këtë rast. Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PNKOK) shton se te njëri nga të pandehurit, Vladimir Atanasovski, nuk do të mundet të zbatohet ky institut ligjor, pasi për të njëjtin vlejnë përjashtimet nga amnistia.
“Në mendimin theksohet se kërkesa e mbrojtjes së të pandehurve për zbatimin e ligjit nuk mund të kundërshtohet, aq më tepër nëse kemi parasysh të pandehurit dhe të dënuarit që tashmë janë amnistuar. Ky mendim u shpjegua në mënyrë të detajuar nga prokurori publik, kryesisht duke marrë parasysh karakteristikat e veprës penale “Rrezikimi terrorist i rendit kushtetues”, dhe cilësinë në të cilën secili prej të pandehurve i ka përmbushur ato karakteristika, e cila është vendimtare për vlerësimin nëse mund të zbatohet apo jo Ligji për Amnisti”, thonë nga PNKOK.
Sipas mbrojtjes, mbetet e paqartë pse Prokuroria nuk ka kërkuar zbatimin e ligjit për amnistinë që nga fillimi i këtij procesi në Gjykatën e shkallës së parë.
“Ajo që është pjesa thelbësore e këtij prononcimi të prokurorisë, është se ata pajtohen se ekzistojnë pengesa ligjore që kjo procedurë të zhvillohet, të cilat pengesa ligjore lindin nga ligji për amnisti i vitit 2018. Kjo në thelb do të thotë se edhe në kohën kur u ngrit kjo aktakuzë, këto pengesa ligjore ishin në fuqi, por pse nuk janë zbatuar mbetet të shihet nga institucionet e tjera nëse është dëshira e dikujt, nevojat politike, këtë do të duhet ta sqaroni” , deklaroi Elenko Milanov, Avokat.
Seanca e radhës për këtë rast është caktuar për 23 janar, kur, siç konfirmohet nga Gjykata Penale, Kolegji Gjyqësor i kryesuar nga gjyqtari Ilija Tërpkov do të duhet të vendosë për kërkesën e palëve dhe mendimin e prokurorisë. Siç e kuptojmë, gjykata pritet të marrë vendim për respektimin e zbatimit të ligjit të amnistisë dhe tre nga katër të pandehurit mund të lirohen. Rasti “Organizatorët e 27 prillit”, i cili tërhoqi shumë vëmendje në publik , ka të bëjë me akuzat për rrezikim terrorist të rendit kushtetues ndaj ish-ministrave Mile Janakieski dhe Spiro Ristovski, ish-drejtorit të DSK-së Vladimir Atanasovski, si dhe ish-kryetarit të Kuvendit Trajko Veljanoski. Në prill të këtij viti, Gjykata e Apelit anuloi vendimin e shkallës së parë të korrikut 2021, me të cilin ish-kryetari i Kuvendit Veljanoski u dënua me gjashtë vjet e gjysmë burg, ish-ministrat Janakieski dhe Ristovski morën një dënim me 6 vjet e tre muaj burg, ndërsa ish-drejtori i DSK-së Atanasovski mori gjashtë vjet burg, dhe çështja u kthye për rigjykim. /Alsat.mk