Shqipëria s’ia jep shtesat se jeton në Kosovë, e Kosova s’ia jep sepse është e Shqipërisë (VIDEO)

Para 1 vit

Ardhja nga një shtet tjetër në Kosovë për të jetuar, po ia mban peng paratë që i takojnë.

Romina Gjinali, e cila para më shumë se një viti erdhi nga Tirana për të jetuar në Prishtinë, edhe pse ka 3 muaj që ka lindur djalin e saj, shtesat e lehonave prej 170 eurove nuk po arrin t’i marrë, raporton Kiks Kosova.

Ballafaqimin me këtë problem Gjinali e pati në momentin që tentoi të aplikojë përmes platformës elektronike eKosova.

Ende pa vazhduar tutje, aplikimi iu pengua me rikujtimin që nuk është shtetase e Republikës së Kosovës.

Ky mesazh nuk e ndali Gjinalin që të vazhdojë tentimet e saj për të kuptuar se ku qëndron problemi dhe si ta zgjidhë atë.

Ndonëse tentoi disa herë të pyes personat përkatës për shtesat e saj, ajo gjithmonë u kthye mbrapa pa një përgjigje e informatë të detajuar.

Meqenëse Ministria e Financave, të cilës ajo iu drejtua me pyetje për rastin e saj, nuk i sqaroi asnjë gjë, tiranasja zgjidhje e pa të bisedonte me një eksperte të financave.

Ekspertja ia tha atë që veçse ia kishte kumtuar eKosova, faktin se ajo nuk është shtetase kosovare por shtetase e Shqipërisë.

Gjinali pretendon që kjo është e padrejtë, ngase sipas saj ajo i kryen të gjitha obligimet ndaj shtetit ku edhe është shpërngulur tani.

Shtetasja shqiptare, e cila ka jetuar në Shqipëri, me shpërnguljen e saj në Kosovë i janë bllokuar përfitimet në dy anë.

Në Shqipëri nuk i përfiton këto shtesa sepse është shpërngulur në Kosovë, ndërsa në Kosovë për faktin se është shtetase shqiptare.

Romina Gjinali do të vazhdojë të kërkojë atë që i takon çdo nëne tjetër e cila jeton dhe vepron në Kosovë.