Trendy

Strategjia e heshtur amerikane për Ballkanin Perëndimor

Para 22 sekonda

Për gati katër vjet, lufta në Ukrainë ka dominuar arkitekturën e sigurisë evropiane. Paralelisht, tensionet në Lindjen e Mesme dhe rivaliteti gjithnjë e më i ashpër me Kinën kanë zhvendosur qendrën e gravitetit të politikës së jashtme amerikane larg Ballkanit Perëndimor.

Në këtë realitet të ri gjeopolitik, rajoni rrallëherë shfaqet në kryetitujt e politikës amerikane. Nuk ka më emisarë të posaçëm që udhëtojnë vazhdimisht mes kryeqyteteve të Ballkanit, as deklarata të përditshme për dialogun Kosovë-Serbi apo për proceset e reformave demokratike.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Washington-i është larguar nga rajoni.

Përkundrazi, mesazhet vazhdojnë të vijnë, por në një formë shumë më të heshtur: përmes raporteve strategjike, dëshmive para Kongresit, dokumenteve të Pentagonit dhe deklaratave të rralla të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Një nga këto sinjale erdhi së fundmi përmes raportit të administratës amerikane mbi politikën e SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor, ku Shqipëria dhe Kosova përshkruhen si partnerë të rëndësishëm të Washington-it në arkitekturën rajonale të sigurisë.

Dokumenti përfaqëson një ndryshim të dukshëm në tonin e diplomacisë amerikane. Në vend të narrativës tradicionale të viteve të pasluftës, ku Ballkani shihej si një rajon që kishte nevojë për menaxhim krizash dhe ndërhyrje të jashtme, raporti flet për partneritete reciproke dhe përgjegjësi të ndara.

“Politika amerikane në Ballkanin Perëndimor nuk ka të bëjë më me shpëtimin apo rindërtimin, por me stabilitetin dhe partneritete reciprokisht të dobishme”, thuhet në dokument.

Në këtë logjikë, Shqipëria dhe Kosova nuk paraqiten më vetëm si vende që përfitojnë siguri nga NATO apo nga Shtetet e Bashkuara, por si aktorë që mund të kontribuojnë në prodhimin e saj.

Megjithatë, jo të gjithë e lexojnë këtë si një rikthim të madh strategjik amerikan në rajon.

Sipas Florian Bieber, profesor i Studimeve të Evropës Juglindore në Universitetin e Graz-it, interpretimi duhet bërë me kujdes.

“Nuk i shoh SHBA-të të interesuara për partneritete sigurie në rajon. Mbetet e qartë se interesi kryesor është ekonomik dhe transaksional”, thotë Bieber për Albanian Post.

Vlerësimi i tij përkon me një sërë zhvillimesh të muajve të fundit, ku prania amerikane në rajon është shfaqur më qartë përmes energjisë dhe investimeve sesa përmes iniciativave të reja të sigurisë.

Në pak më shumë se një muaj, tre vende të rajonit – Shqipëria, Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina – u përfshinë në marrëveshje të rëndësishme energjetike të lidhura drejtpërdrejt me interesat amerikane.

Vetëm gjatë pranverës, Shqipëria nënshkroi një marrëveshje 20-vjeçare me kompanitë amerikane Venture Global dhe Aktor LNG USA për furnizimin me gaz natyror të lëngshëm (LNG), një projekt me vlerë rreth 6 miliardë dollarë që administrata amerikane e paraqiti si pjesë të strategjisë për forcimin e sigurisë energjetike rajonale.

Ambasadorja amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, e cilësoi marrëveshjen si një hap kyç për krijimin e një rajoni “më të lidhur, më të sigurt dhe më të begatë”, duke e lidhur drejtpërdrejt projektin me agjendën energjetike të administratës Trump.

Në të njëjtën kohë, Kroacia nënshkroi me Shtetet e Bashkuara një marrëveshje për zgjerimin e infrastrukturës së gazit dhe rrjeteve energjetike në Ballkan, ndërsa Bosnjë-Hercegovina avancoi një projekt të ri gazsjellësi të mbështetur nga investitorë të lidhur me rrethin ekonomik të presidentit Donald Trump.

Të tre rastet kanë një element të përbashkët: reduktimin e varësisë nga energjia ruse dhe forcimin e pranisë amerikane në tregun energjetik të Evropës Juglindore.

Sipas Bieber, mbështetja që Tirana dhe Prishtina i kanë dhënë politikave të administratës Trump është parë pozitivisht në Washington, por kjo nuk përkthehet domosdoshmërish në një partneritet të ri strategjik.

“Mbështetja e Shqipërisë dhe Kosovës për politikat e administratës Trump ka qenë pozitive për Shtëpinë e Bardhë, por nuk mendoj se kjo bazohet në një partneritet sigurie. Më shumë lidhet me afirmimin e politikave të Trump-it”, vlerëson ai.

Në fakt, leximi i Bieber-it përkon me një prirje më të gjerë të politikës së jashtme amerikane.

Që prej rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, fokusi kryesor ka qenë reduktimi i angazhimeve afatgjata amerikane dhe rishpërndarja e burimeve drejt prioriteteve globale që konsiderohen më urgjente.

Kjo është reflektuar edhe në debatet për praninë ushtarake amerikane në Evropë.

Vetëm gjatë javëve të fundit, administrata amerikane ka sinjalizuar reduktime të pranisë së saj ushtarake në disa vende evropiane, ndërsa diskutimet mbi rolin e ardhshëm të NATO-s janë bërë gjithnjë e më intensive.

Por edhe në këtë klimë pasigurie, Kosova duket se vazhdon të trajtohet si një rast i veçantë.

Në një përgjigje për Albanian Post, Pentagoni konfirmoi më parë se aktualisht nuk ka ndryshime të planifikuara për praninë amerikane në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

“Nuk kemi ndryshime në pozicionin e forcave për të njoftuar në lidhje me KFOR-in”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Departamentit amerikan të Mbrojtjes.

Në pamje të parë, mund të duket si një formulim rutinë diplomatik. Por në një moment kur Washington-i po rishikon praninë e tij ushtarake në pjesë të tjera të Evropës, fakti që Kosova nuk përmendet në listën e reduktimeve merr një rëndësi të veçantë.

Për Bieber-in, pyetja kryesore nuk është nëse Shqipëria dhe Kosova mund të shndërrohen në “ofrues sigurie”, por me kë duhet ta ndërtojnë këtë rol.

“Do të ishte më mirë të angazhoheshin me strukturat evropiane të sigurisë sesa me Trump-in, i cili nuk duket i interesuar për aleanca afatgjata, por për fitore afatshkurtra”, argumenton ai.

 

 

 

Trending