Policia Kriminale e Tetovës, në bashkëpunim me Stacionin Policor në Kamjan dhe strukturat e tjera policore, ka zhvilluar një aksion të koordinuar që ka çuar në zbardhjen e disa veprave penale të dyshuara si “vjedhje” dhe “vjedhje e rëndë”. Më 19 shtator 2026, rreth orës 16:55, në Tetovë, nëpunësit policorë të SPB Tetovë, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminalistike – Sektorin për Krim të Përgjithshëm dhe të Dhunshëm, kanë privuar nga liria S.U. (26) nga Pallçishti i Poshtëm dhe A.E. (34) nga Likova, Komuna e Likovës.
Të dy dyshohen për kryerjen e veprave penale “vjedhje” dhe “vjedhje e rëndë”, të parashikuara në nenet 235 dhe 236 të Kodit Penal.Gjatë aksionit, autoritetet kanë sekuestruar një automjet “Audi” me targa të Kumanovës, ndërsa në disa lokacione në zonën e Kamjanit dhe Pallçishtes janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie, një karabinë gjuetie, sasi më e madhe municioni dhe fishekë të kalibrave të ndryshëm, si dhe sende të tjera që dyshohet se kanë origjinë nga veprat penale.Aksioni ka vazhduar edhe gjatë mbrëmjes.
Në orën 18:50, me urdhër gjykate, policia ka kryer bastisje në shtëpinë dhe ambientet ndihmëse të B.U. (26) nga Pallçishtja e Poshtme, i cili më pas është privuar nga liria.Hetimi ka vijuar edhe gjatë natës. Më 20 shtator, rreth orës 02:20, në Stacionin Policor Tetovë është ndaluar edhe A.A. (34) nga fshati Otël, rrethina e Likovës, i cili më herët ishte privuar nga liria nga nëpunësit policorë të SPB Kumanovë. Gjatë veprimeve ndaj tij është sekuestruar edhe një “Volkswagen Polo” me targa të Kumanovës.Të gjithë personat janë mbajtur në ambientet policore dhe, pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tyre pritet të ngrihen kallëzime përkatëse penale.
Ky aksion paraqet një tjetër rezultat të punës së strukturave të Policisë Kriminale në Tetovë dhe bashkëpunimit ndërmjet njësive policore, nën drejtimin e kryeshefit të Krim Policisë në Tetovë, Mujdin Beadini, dhe kryeshefit të SPB Tetovë, Rijat Aliji./Tema.mk/











