Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, ka shpjeguar arsyet e largimit të partisë së tij nga koalicioni qeverisës VLEN, pas vetëm 11 muajsh në pushtet. Në një intervistë për televizionin “MCN” në Shqipëri, Taravari tha se ndonëse ASH kishte hyrë në Qeveri me pritshmëri të mëdha dhe një program të qartë, asnjë nga pikat kyçe të këtij programi nuk u realizua.
“Pas zgjedhjeve të 8 majit 2024, VLEN arriti një rezultat të shkëlqyer dhe ne u bëjmë pjesë e Qeverisë me 14 deputetë. Por, për fat të keq, pas 11 muajsh nuk kemi arritur të realizojmë asnjë nga zotimet tona,” deklaroi Taravari.
Ai theksoi se ASH nuk është një parti që pranon të jetë vetëm “dekor” në pushtet, dhe për këtë arsye vendosën të largohen dhe t’i rikthehen qytetarëve për t’u përgatitur për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor të këtij viti.
Taravari nënvizoi gjithashtu se ndonëse katër parti shqiptare ishin për herë të parë bashkë në Qeveri, bashkëpunimi ka qenë i dobët dhe i paorganizuar që nga nëntori i vitit të kaluar. Sipas tij, kjo situatë është shfrytëzuar nga partnerët maqedonas të koalicionit, kryesisht VMRO-DPMNE dhe ZNAM, të cilët, me shumicën prej 64 deputetësh, kanë margjinalizuar ASH-në dhe nuk kanë përfillur kërkesat e saj.
“Pati presione të forta edhe ndaj kryeministrit. Ne kërkuam të dalim me lista të ndara në zgjedhjet lokale për këshilltarë komunalë, por kjo nuk u pranua. U detyruam të largohemi për të mos qenë pjesë e një Qeverie ku nuk mund të realizojmë asgjë nga premtimet tona,” shtoi ai.
Taravari përmendi disa nga çështjet e rëndësishme që mbetën të paprekura, përfshirë rrugën drejt integrimit evropian, decentralizimin e pushtetit lokal dhe përfaqësimin e drejtë etnik përmes një ligji që ende nuk është miratuar. Ai gjithashtu kritikoi mungesën e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe favorizimin e punësimeve për maqedonasit.
“Për ne, rikthimi te qytetarët dhe përgatitja për zgjedhjet lokale është tani prioritet. Ne kemi pasur një rezultat shumë të mirë me 107 mijë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare, dhe do të punojmë për ta rritur këtë mbështetje,” përfundoi Taravari, duke uruar sukses për partitë që mbeten në Qeveri, megjithëse sipas tij, VLEN ka pasur mospërputhje të mëdha ideologjike brenda vetes.







