Trendy

Të punësuarit “në të zezë” fshehin mijëra “të papunë”

Para 2 orë

Lista e të papunëve që regjistrohen në Agjencinë e Punësimit, por punojnë ilegalisht, do të rishqyrtohet. Autoritetet kanë njoftuar ndryshime ligjore që do të përcaktojnë qartë se sa nga 90,000 të papunët janë vërtet të papunë

Lista e të papunëve që regjistrohen në Agjencinë e Punësimit, por punojnë ilegalisht, do të rishqyrtohet. Autoritetet kanë njoftuar ndryshime ligjore që do të përcaktojnë qartë se sa nga 90,000 të papunët janë vërtet të papunë.

Një numër i madh i tyre po regjistrohen vetëm që të mos u revokohet ndihma minimale e garantuar, thonë nga Agjencia e Punësimit, dhe për këtë arsye është formuar tashmë një grup pune, i vili do të kontrollojë në terren nëse këta persona janë të punësuar në mënyrë informale. Pra, Po shqyrtohet përfshirja në ligj e një heqjeje të përhershme të së drejtës për t’u regjistruar në Agjenci, nëse përcaktohet se ata punojnë dhe marrin ndihmë. Pra një nga opsionet mund të jetë që të gjithë ata që zbulohen se punojnë ilegalisht nuk mund të aplikojnë për ndihmë sociale sepse e keqpërdorin këtë mundësi. Në këtë drejtim, po përgatitet një zgjidhje e re ligjore që do t’u lejojë përfituesve të ndihmës sociale për punësim të mbajnë ndihmën shtetërore për një vit tjetër, pas së cilës përfitimi do të hiqet plotësisht. Për të përcaktuar situatën reale, shërbimet sociale po bashkëpunojnë me Zyrën e të Ardhurave Publike dhe Agjencinë e Punësimit.

Njerëzit do të fshihen nga regjistri i papunësisë nëse refuzojnë një ofertë punësimi dy herë brenda një viti ose nuk paraqiten në një intervistë pune për të cilën janë referuar nga Agjencia e Punësimit. Kjo masë ka qenë në diskutim për një kohë të gjatë dhe punëdhënësit dhe dhomat e tregtisë e rihapën çështjen në takimin e fundit në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës. Qëllimi është të zvogëlohet ekonomia në hije dhe t’u mundësohet kompanive të ofrojnë punë të kualifikuar më shpejt.

“E diskutuam këtë çështje në takimin e fundit në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës, gjatë të cilit u propozua që të fshihen nga evidencat e papunësisë personat që nuk aplikojnë dy herë për ofertë pune. Ekziston një numër i madh i personave të papunë që nuk aplikojnë për rikualifikim dhe trajnim shtesë. Prandaj, ne besojmë se është e nevojshme të pastrohen evidencat në mënyrë që të përcaktohet pse disa persona nuk pranojnë punë dhe nëse punojnë në ekonominë gri, për shembull në ferma, kantiere ndërtimi ose në vende të tjera pune”, thekson Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve. Sipas tij është e nevojshme të përpunohet lista e të papunëve në Agjencinë e Punësimit për të parë se cili është numri real i atyre që kërkojnë punë. “Për të zgjidhur këtë problem, nevojitet veprim i përbashkët dhe i koordinuar nga institucione të shumta si: Qendrat e punës sociale, Agjencia e Punësimit, Zyra e të Ardhurave Publike etj., të cilat do të përcaktojnë nëse këta persona janë në vend, nëse punojnë ilegalisht, nëse merren me aktivitet të padeklaruar, pse nuk regjistrohen për njoftime për punësim dhe rikualifikim etj”, thekson Dimitrov.

Numri i personave të papunë në tremujorin e parë të vitit 2026 u ul me një për qind krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2025 dhe u ul me 2.3 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Nga numri i përgjithshëm i personave të papunë, burrat përbëjnë 62.4 për qind dhe gratë përbëjnë 37.6 për qind. Siç raportohet nga Enti Shtetëror i Statistikave, numri i personave të punësuar shënoi një rënie prej 0.3 për qind. Nga numri i përgjithshëm i personave të punësuar, 57.9 për qind janë burra dhe 42.1 për qind janë gra.

Pjesa e punësimit informal në tremujorin e parë të vitit 2026 është në rritje. Janë 94,197 persona të punësuar informalisht, që është 4.3 për qind më shumë se në tremujorin e mëparshëm. Numri më i madh i personave të punësuar informalisht, 43.6 për qind, është në sektorin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Peshkimit dhe 17.5 për qind në sektorin e Ndërtimit. Sipas Entit Shtetëror të Statistikës, popullsia aktive numëron 797,884 persona, nga të cilët 707,385 janë të punësuar dhe 90,499 janë të papunë. Shkalla e aktivitetit është 52.5, shkalla e punësimit është 46.5, ndërsa shkalla e papunësisë është 11.3. Sipas statistikave, numri i të papunëve në vitin 2025 u ul me 6.6 për qind krahasuar me vitin 2024, dhe shkalla e papunësisë tani është 11.5 për qind. Të dhënat tregojnë se pjesa e punësimit informal është në rritje dhe arrin në 94,847 persona, që është 11.5 për qind më shumë se një vit më parë. Pjesa më e madhe e të punësuarve informalë është në bujqësi (48.5 për qind) dhe ndërtim (17.1 për qind).

90.000 persona të papunë dhe deri në 10.000 vende të lira pune janë regjistruar në vend për tremujorin e parë të këtij viti, sipas analizave të reja të Entit Shtetëror të Statistikës. Sipas të dhënave të marra nga anketa, problemin më të madh me punësimin e kanë kompanitë me 10 deri në 49 të punësuar. Numri më i madh i vendeve të lira të punës, 2.346, është në grupin e punëtorëve në aktivitete shërbyese dhe shitje. Pas kësaj vijnë industria përpunuese, tregtia me shumicë dhe pakicë dhe hoteleria. (koha.mk)

Trending