Trendy

Tensionet etnike nën hijen e Kalasë, sërish pas 14 vjetësh!

Para 4 muaj

Çështjet etnike, edhe 24 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, vazhdojnë të zënë hapësirën më të madhe të debatit dhe diskutimit në Maqedoni. Çështja e punimeve në Kalanë e Shkupit, është rast i fundit që ngre pluhur, duke iu rikthyer në kujtesë shumë qytetarëve vitin 2011, kur për shkak të ndërtimit të një objekti që pretendohej të ishte kishë, dhjetëra a qindra të rinj shqiptarë u përleshën fizikisht deri në përgjakje, me bashkëmoshatarë të tyre maqedonas. Dhjetëra prej tyre përfunduan në burg me akuza të ndryshme për dhunë.
Pas protestave të 2011-tës në Kala qëndronte Artan Grubi, asokohe në rolin e aktivistit civil që udhëhiqte një organizatë të quajtur “Zgjohu”. Por në fakt, kjo organizatë ishte dorë e zgjatur e Ali Ahmetit, e cila operacionalizonte planet e kryeintegristit. Dhe për këtë, Grubi do të shpërblehej me poste të larta në parti, deri në kohën kur SHBA-ja e futi në Listën e Zezë pasi siguroi fakte se ai ishte i përfshirë në korrupsion, me qëllim për të shpëtuar ish shefin e shërbimit sekret Sasho Mijallkovin.

Mbase ky moment është ironia më e madhe e cila hedh dyshime për sinqeritetin e protestave anti-kishës në Kala. Organizatori i protestave, Artan Grubi i cili u bë shkas për t’i futur në sherr të rinjtë shqiptarë, në fund do të përfundonte si shërbëtor i Sasho Mijallkovit, i cili në kohën e protestave të dhunshme në Kala ushtronte detyrën e shefit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim.

“Zgjohu” rrjedhimisht me ngjarjet e kohës dhe politikës së BDI-së ishte mjaft i zëshëm sa u përket çështjeve ndëretnike, siç ishin rrahjet, burgosjet apo veprimet institucionale. Reagonte ashpër për incidentin në Gjorçe Petrov pas vrasjes së maturantit Angel Petkovski dhe shkatërrimin e objekteve të shqiptarëve, por edhe për vendosjen e udhëheqësit serb të mesjetës Car Dushan në Qendër të Shkupit.

Bujar Osmani, asokohe deklarohej se “bën pak zhurmë dhe shumë punë për të larguar këtë përmendore, por prej vendosjes së saj e deri kur doli në opozitë BDI-ja, gati një dekadë në pushtet, megjithatë asnjëherë nuk ndërmori asnjë masë për ta larguar, sikurse trumbetonte në opinion.

Me protesta dhe roje nate do të përmbyllej edhe aktiviteti partiak i BDI-së për parandalimin e ndërtimit të një kryqi 55 metra në Komunën e Butelit. Rasti do të krijonte tension ndëretnik, në të cilin, një grup qytetarësh maqedonas kishin nisur kundërprotestë që fatmirësisht nuk prodhoi incidente.

Megjithatë, efektet nga ngjarjet e tilla ndiheshin në mbarë popullatën, sidomos asaj lokale pasi që paraprakisht, shtëpitë e shqiptarëve ishin sulmuar në Radishan, ndërsa të rinjtë rriheshin nëpër autobusë.

Kjo lojë e rrezikshme me skenarë ndëretnikë do të demaskohej edhe nga vetë kreu i shtetit, presidenti Pendarovski, i cili thoshte se për të qëndruar në pushtet, të gjitha qeveritë – pa dallim shqiptarë e maqedonas – për të qëndruar në pushtet, pajtoheshin edhe me politika antishqiptare. /Alsat.mk

Trending