Këshilli i Komunës së Tetovës ka miratuar vendimin për subvencionimin e të gjithë nxënësve që do të regjistrohen në klasën e parë në shkollat fillore të komunës, një masë që synon të mbështesë familjet dhe të lehtësojë shpenzimet për fillimin e vitit të ri shkollor.
Lajmin e bëri të ditur kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili tha se ky projekt është pjesë e platformës së tij për mandatin e dytë dhe një nga zotimet që po merr formë konkrete.
Sipas vendimit të miratuar, çdo fëmijë që regjistrohet në klasën e parë deri më 20 qershor do të përfitojë një vauçer në vlerë prej 100 eurosh. Shpërndarja e vauçerëve pritet të realizohet në fillim të muajit korrik.
Kasami theksoi se qëllimi i kësaj mase është të ndihmojë familjet në përballimin e kostove që lidhen me fillimin e shkollimit, por edhe të nxisë regjistrimin e fëmijëve në institucionet arsimore të Tetovës.
“Komuna qëndron afër prindërve, afër familjeve dhe afër çdo tetovari pa dallim”, deklaroi ai.
Kryetari i komunës nënvizoi se investimi në arsim mbetet prioritet i pushtetit lokal, duke rikujtuar projektet e realizuara dhe ato në vijim për ndërtimin e shkollave të reja, përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese dhe modernizimin e kushteve të mësimit.
Sipas tij, krahas investimeve infrastrukturore, komuna po ndërmerr edhe politika sociale që e bëjnë arsimin më të qasshëm për çdo familje.
“Është detyrë e jona të investojmë në të ardhmen tonë, në suksesin dhe dijen e brezave të rinj”, theksoi Kasami.










