Trendy

Tetovë: Gruaja padit Qendrën e Shëndetit Publik për tampon të përdorur dy herë – kërkon 100 mijë euro!

Para 10 muaj

Një grua nga Tetova në gjykatë kërkon 100 mijë euro dëmshpërblim nga Qendra e Shëndetit Publik – Tetovë, sepse në vitin 2021, në këtë Qendër, një punonjës shëndetësor i mori tampon për testim të Covid-19 me të njëjtin shkopth që më parë e kishte përdorur për të marrë tampon nga një paciente tjetër – e cila kishte rezultuar pozitive me koronavirus. Pesë ditë më vonë, pozitive me Covid doli edhe paditësja, në hundën e së cilës ishte futur shkopthi i pacientes që ishte testuar para saj.

Në padinë e shkruar, si dhe në seancën gjyqësore, avokati i paditëses theksoi se më 1 mars 2021, paditësja kishte shkuar në Qendrën e Shëndetit Publik në Tetovë për kontroll, por kishte ndodhur një gabim i rëndë dhe neglizhencë nga ana e një punonjësi të Qendrës. Konkretisht, në orën 09:40 paditësja kishte të caktuar testim për Covid-19, ndërsa para saj kishte pritur në radhë një vajzë më e re.

Pasi vajzës që ishte para paditëses iu mor tamponi, paditësja priste ulur që t’i merrej edhe asaj tampon nga hunda dhe fyti. Punonjësi i Qendrës mori një shkopth për marrjen e mostrës dhe filloi t’i merrte tamponin, por pasi mbaroi, paditësja i tregoi se epruveta e saj me shkopth nuk ishte hapur fare dhe shkopthi me të cilin i ishte marrë mostër ishte përdorur nga pacientja e mëparshme, thuhet në padi, për të cilën kishte vendosur Gjykata Themelore e Tetovës, dhe që e kishte siguruar “Sloboden Peçat” duke përdorur Ligjin për qasje të lirë në informacione me karakter publik.

Paditësja e kishte raportuar rastin edhe te atëkohshmi drejtor i Qendrës së Shëndetit Publik dhe menjëherë kishte shkuar në një tjetër institucion për të bërë test të shpejtë për Covid, i cili atë ditë kishte rezultuar negativ. Megjithatë, ajo ishte e vetëdijshme se virusi hyn në organizëm dhe shfaq shenja pas disa ditësh, prandaj u testua përsëri pas 5 ditësh, më 5 mars 2021, dhe rezultati i saj ishte pozitiv.

Në padi thuhet se pas këtij rasti, gruaja kishte kryer ekzaminime të tjera me rreze X, kishte frikë për shëndetin e saj, disa herë kishte marrë pushim mjekësor të zgjatur, kishte pasur vështirësi në frymëmarrje, rrahje të shpeshta zemre, ndjente frikë të fortë për jetën e saj dhe kishte rënë në krizë psikike e delir.

Në Gjykatën Themelore të Tetovës, gruaja kishte dorëzuar edhe një ekspertizë nga fusha e mjekësisë ligjore, por gjykata nuk i besoi kësaj ekspertize, me arsyetimin se mendimi i ekspertit ishte bazuar vetëm në raportet spitalore.

„Ekspertiza e dorëzuar është e cunguar dhe nga ajo gjykata nuk mund të konstatojë me siguri se tek paditësja është transmetuar infeksioni me koronavirus nga pacientja para saj. Për të konstatuar nëse ajo është infektuar me Covid-19 nga pacientja para saj, duhet të dihet historia e asaj pacienteje dhe lloji i virusit me të cilin ajo ishte infektuar, të mbështetur me analiza laboratorike dhe prova të përshtatshme, të cilat mungojnë në ekspertizën e dorëzuar“, vlerësoi Gjykata Themelore e Tetovës.

Nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar për “Sloboden Peçat” konfirmuan se më 18 mars 2021 kishin kryer një kontroll të jashtëzakonshëm inspektues në Qendrën e Shëndetit Publik në Tetovë, pasi avokati i paditëses kishte dorëzuar një ankesë me shkrim tek ata. Punonjësi ishte dënuar për gabim nga pakujdesia dhe për 6 muaj kishte marrë 20% pagë më të ulët.

Gjatë kontrollit inspektues u bë verifikim në sistemin “Termini Im” dhe u konstatua se ishte bërë një gabim nga punonjësi. Nga ana e drejtorit të institucionit shëndetësor, më 14.03.2021 ishte formuar Komisioni për procedurë disiplinore, i cili kishte konstatuar se ishte kryer shkelje disiplinore dhe ishte marrë vendim për gjobë financiare për 6 muaj, thanë nga ISHSSH për “Sloboden Peçat”.

Ndërkohë, avokati i punonjësit, para Gjykatës Themelore Tetovë, kishte pohuar se e vetmja qëllim i pacientes ishte të merrte para, se padia përmbante pretendime të pasakta dhe se fakti që pacientja kishte rezultuar pozitive për Covid pesë ditë pas marrjes së tamponit në Qendrën e Shëndetit Publik në Tetovë, nuk ishte për shkak të ndonjë gabimi të punonjësit, por sepse anëtarët e familjes së saj – vjehrri dhe vjehrra me të cilët ajo jetonte në të njëjtën shtëpi – kishin qenë pozitivë për Covid që më 27 shkurt 2021.

Gjykata Themelore e Tetovës e kishte hedhur poshtë padinë e pacientes, për shkak të mungesës së provave të pakontestueshme se ajo ishte infektuar me koronavirus gjatë marrjes së tamponit nga punonjësi i Qendrës së Shëndetit Publik në Tetovë, por edhe për shkak të parashkrimit të çështjes. Gruaja ishte detyruar t’i paguante punonjësit shpenzime gjyqësore në shumën prej 41.400 denarë.

„Paditësja nuk dëshmoi se ekziston lidhje shkak-pasojë midis veprimit të paditurit dhe dëmit jomaterial të pësuar prej saj. Paditësja ka për detyrë të dëshmojë se ka pësuar dëm jomaterial, si dhe lidhjen shkak-pasojë nga veprimet e paditurit dhe dëmin eventual të ndodhur, por nuk arriti të vërtetojë nëse dhe me çfarë intensiteti ka pësuar dhimbje shpirtërore dhe nëse ka pësuar frikë të lidhur me veprimet e paditurit“, vlerësoi Gjykata Themelore Tetovë.

Megjithatë, muajin e kaluar Gjykata e Apelit në Gostivar e rrëzoi këtë vendim dhe e ktheu përsëri në shqyrtim çështjen, në të cilën një grua nga Tetova kërkon në gjykatë 100 mijë euro dëmshpërblim jomaterial, pasi në vitin 2021, për shkak të një gabimi në Qendrën e Shëndetit Publik në Tetovë, iu mor tampon për Covid me shkopth që më parë ishte përdorur tek një paciente tjetër që kishte rezultuar pozitive me Covid.

Trending