Trendy

Tetovë, zjarrfikësit ndërpresin pushimet

Para 5 muaj

Njësia territoriale kundër zjarrit në Tetovë, ka kthyer në punë të gjithë zjarrfikësit që ishin në pushim vjetor. Kjo si masë për të qenë në gjendje gatishmërie për intervenim në rast nevoje. Zjarrfikësit në Tetovë kanë shtuar kontrollet në 12 pikat kritike ku më së shpeshti paraqiten zjarret në Tetovë.

“Gjithë zjarrfikësit që po shfrytëzojnë pushimet, janë kthyer në vendet e punës. Po ashtu kemi shtuar kontrollet e rrepta në disa territore të qytetit ku e dimë që ndodhin zjarre çdo vit, dhe ne si zjarrfikës i kontrollojmë gjithnjë që të mos kapen nga flakët këto momente kur kemi gjendje shumë të rënduar në këto thatësira të mëdha”, tha Avni Ameti. Kryeshef i NJTKZ Tetovë.

Në gjendje gatishmërie janë vënë edhe komuna e Tetovës, por edhe parku kombëtar përmes renxhersave, duke shtuar kontrollet si në malësi të Sharrit po ashtu edhe në pjesën e fushave.

“Sot pata komunikim me Qeverinë dhe do bëhet edhe shpallja e angazhimit të 400 zjarrfikësve që do angazhohen vetëm në kushte të shtimit të rrezikut për zjarret dhe mbi dyzet do jenë vetëm për komunën e Tetovës. iu bëjmë thirrje gjithë atyre që janë të interesuar të bashkëpunojnë komunën e Tetovës, që të paraqiten në këtë thirrje për zjarrfikës. Në bashkëpunim edhe me parkun Kombëtar, i kemi vënë në dispozicion gjitha resurset me rejnxhersa me zjarrfikës që të jemi të gatshëm për tu përgjigjur ndaj çdo rreziku nga zjarri”, tha Bilall Kasami. Kryetar i komunës së Tetovës.

“Si park kombëtar jemi në koordinim të vazhdueshëm me gjitha institucionet, sidomos me QMK dhe Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim sidomos pas shpalljes së gjendjes së krizës, edhe pse fatkeqësisht kemi kapacitete të limituara, ato që kemi i kemi të trajunuar për situata zjarresh dhe veçmë një ekipë është angazhuar me një automjet me gjitha pajisjet e nevojshme për intervenime të shpejta”, tha Evzal Elmazi, Drejtor i Parkut Kombëtar.

Për dallim nga viti i shkuar, sivjet në Parkun Kombëtar por edhe në fushën e Pollogut, ka pasur shtim të numrit të zjarreve, por me përmasa të vogla dhe falë intervenimit të shpejtë zjarret janë vënë nën kontroll./Alsat.mk

Trending