Trendy

Toshkovski: Shpërbëhet grupi i fuqishëm kriminal në Prilep, vepronte prej 15 vitesh në Maqedoni dhe vende të BE-së

Para 45 minuta

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, gjatë një interviste në Radio Lider, bëri të ditura ekskluzivisht detaje për aksionin e madh policor të zhvilluar dje në Prilep, duke theksuar se bëhet fjalë për shpërbërjen e një grupi serioz kriminal të organizuar, ndaj të cilit Ministria e Punëve të Brendshme, në koordinim me Prokurorinë Publike dhe shërbimet partnere të huaja, kishte punuar për më shumë se një vit.

“Bëhet fjalë për shpërbërjen e një grupi kriminal të organizuar, një grup shumë serioz kriminal, një pjesë e të cilit për më shumë se 15 vjet ka bërë atë që ka bërë dhe ka qenë i paprekshëm për organet e ndjekjes”, deklaroi Toshkovski.

 

Ministri informoi se gjatë ditës së djeshme janë kryer rreth 30 bastisje, ndërsa rreth 21 persona do të përfshihen në kallëzimin e parë penal, i cili pritet të procedohet gjatë ditës. Procedura po vazhdon me urgjencë dhe me urdhër të prokurorit publik.

 

Sipas Toshkovskit, ekzistojnë dyshime të bazuara se një pjesë e grupit gjatë periudhës së kaluar ka vepruar edhe në territorin e Greqisë, në zonën e Halkidikisë dhe Kalitheas, ku dyshohet për vepra të rënda penale kundër pasurisë, përfshirë vjedhje të rënda. Sipas informacioneve të hetimit, një pjesë e grupit ka kryer veprime kriminale edhe në Spanjë. Një nga personat që ndodhej në arrest shtëpiak në Spanjë ishte arratisur, ndërsa tani është kapur nga policia maqedonase dhe është proceduar në përputhje me ligjin.

 

“Me të vërtetë bëhet fjalë për një grup serioz kriminal të organizuar, i cili, po e përsëris, për shumë vite ka vepruar jo vetëm në Maqedoni, por edhe në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Me një aksion gjithëpërfshirës, nën koordinimin e Prokurorisë Publike, kjo organizatë kriminale është hetuar për më shumë se një vit”, tha Toshkovski.

 

Në kuadër të hetimit ekzistojnë dyshime se veprimet kriminale të disa prej anëtarëve janë ndihmuar edhe nga zyrtarë policorë, të cilët u kanë përcjellë informacione anëtarëve të grupit. Për këtë arsye, gjatë aksionit janë kryer edhe disa bastisje te zyrtarë policorë, për të cilët ekzistojnë dyshime se kanë bashkëpunuar me disa prej të dyshuarve.

Trending