Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në Hessen të Gjermanisë, ku dy të rinj kanë humbur jetën dhe disa persona të tjerë janë plagosur.
Ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 13:15, në rrugën L3185, pranë Ober-Lais, pjesë e qytetit Nidda.
Sipas Policisë, në një Mazda CX-5, e destinuar për pesë persona, ndodheshin tetë adoleshentë të moshës 14 dhe 15 vjeç.
Automjeti është përplasur frontalisht me mjete pune, ndërsa goditja ka qenë aq e fuqishme sa pjesa e përparme e veturës është shkatërruar tërësisht, raporton Bild.
Dy prej adoleshentëve nuk kanë arritur t’u mbijetojnë lëndimeve. Një prej viktimave ishte 15-vjeçari që po drejtonte automjetin, ndërsa viktima tjetër ishte një vajzë 14-vjeçare.
Adoleshentët e tjerë kanë pësuar lëndime të rënda dhe janë dërguar në spitale, por sipas Policisë nuk janë në rrezik për jetën. Disa prej tyre janë transportuar me helikopterë të emergjencës.
Në aksident janë lënduar edhe dy punëtorë që ndodheshin në një kamion pune. Një 53-vjeçar ka pësuar lëndime të rënda, ndërsa një 57-vjeçar është lënduar lehtë. Një punëtor i tretë ka shpëtuar pa lëndime.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, vetura i përkiste babait të 15-vjeçarit që humbi jetën.
Babai ka deklaruar për RTL se nuk e kuptonte pse djali i tij e kishte marrë automjetin, duke shtuar se ai nuk kishte përvojë në drejtimin e veturës dhe nuk kishte vozitur më parë fshehurazi.
Ende nuk dihet se përse Mazda ka dalë në drejtim të mjeteve të punës.
Me urdhër të Prokurorisë, një ekspert është angazhuar për rindërtimin e aksidentit dhe përcaktimin e rrethanave të plota të ngjarjes.











