Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se një marrëveshje për armëpushim në Rripin e Gazës mund të arrihet brenda javës së ardhshme. Sipas tij, administrata amerikane është në kontakt me palët e përfshira në konflikt, duke punuar për ndërprerjen e luftimeve midis Izraelit dhe Hamasit.
Njoftimi i Trump vjen në një moment kur në media po qarkullon një raport tronditës, që sugjeron se numri i vdekjeve në Gaza mund të jetë gati dyfish i asaj që raporton Ministria e Shëndetësisë në territorin palestinez.
Sipas gazetës izraelite Haaretz, të cituar nga TrtGlobal, afro 100,000 palestinezë mund të kenë humbur jetën që nga fillimi i luftës në tetor 2023 – një shifër që përfaqëson rreth 4% të popullsisë së Gazës.
Sipas të dhënave:
56% e viktimave janë gra dhe fëmijë,
Shkollat, tendat dhe qendrat e strehimit janë shënjestruar nga bombardimet,
Vetëm në 24 orët e fundit, 13 civilë palestinezë, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë.
Përveç vdekjeve të drejtpërdrejta nga sulmet, qindra persona – përfshirë fëmijë të vegjël – kanë ndërruar jetë nga uria, sëmundjet dhe mungesa e ndihmës mjekësore, pas kolapsit total të sistemit shëndetësor në Gaza. Një foshnje tre muajshe vdiq në Deir al-Balah për shkak të mungesës së qumështit formulë.
Në këtë kontekst dramatik, deklarata e presidentit Trump për një armëpushim të mundshëm brenda ditësh është pritur me interes dhe skepticizëm. Tashmë mbetet të shihet nëse do të pasojë veprim konkret diplomatik – apo një tjetër premtim i parealizuar në një nga konfliktet më të përgjakshme të dekadës.





