Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm lidhur me sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të njëra-tjetrës.
Pas këtij njoftimi ka reaguar presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ka shprehur gatishmërinë e Ukrainës për ta respektuar një marrëveshje të tillë, nëse edhe Rusia pajtohet.
“Me efekt të menjëhershëm, në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës hyn në fuqi një armëpushim energjetik. Të dyja palët kanë rënë dakord. Mos e shkelni”, ka shkruar Trump në platformën e tij Truth Social.
Ndërkohë, Zelensky, në një deklaratë për median amerikane Axios, ka thënë se ishte informuar për këtë zhvillim.
“Por nëse rusët bien dakord për një armëpushim energjetik, edhe Ukraina do të pranojë”, është shprehur presidenti ukrainas.
Megjithatë, deri në momentin e raportimit, Moska nuk kishte bërë ndonjë koment zyrtar lidhur me njoftimin e presidentit amerikan.
Më herët, Zelensky kishte deklaruar se Ukraina ishte e gatshme të ndalte sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, nëse Rusia ndërpriste sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase.











