Turistët në Berlin në të ardhmen do të kenë mundësi të fitojnë shpërblime të vogla duke mbledhur mbeturina nëpër këtë qytet, ose duke udhëtuar “gjelbër”, sipas agjencisë së turizmit Visit Berlin, transmeton dpa, transmeton KosovaPress.
Programi, i quajtur “BerlinPay”, pritet të nisë këtë verë, me fokus te rrugët ujore të qytetit, thuhet në faqen e agjencisë.
“Po e bëjmë sjelljen e përgjegjshme më të dukshme dhe po e shpërblejmë atë. Ata që veprojnë me vetëdije pranë dhe mbi ujë — për shembull duke mbledhur mbeturina, duke përmirësuar lagjen apo duke mbështetur projekte sociale — do të marrin vlerësim nga partnerët pjesëmarrës: përfitime të vogla ose përvoja të veçanta në Berlin,”thuhet në faqen e Visit Berlin.
Kjo agjencia tha se ende është në kërkim të partnerëve, si restorante, hotele dhe institucione kulturore, që mund të marrin pjesë në këtë skemë dhe të ndihmojnë turistët të përfitojnë shpërblimet e tyre.
Modeli për BerlinPay bazohet në një koncept nga kryeqyteti danez, “CopenPay”. Në këtë skemë, turistët mund të përfitojnë shërbime si udhëtime falas me varkë ose marrje biçikletash me qira, nëse dëshmojnë se, për shembull, kanë udhëtuar me tren në vend të avionit ose janë sjellë në mënyrë të qëndrueshme.










