Trendy

Turqia akuza Izraelit: Kërkon të destabilizojë Sirinë

Para 55 minuta

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, i cili po viziton Sirinë, akuzoi Izraelin se po përpiqet të “destabilizojë” vendin, ndërsa homologu i tij sirian Asaad al-Shaibani deklaroi se Damasku mbetet i përkushtuar ndaj një zgjidhjeje diplomatike.

Deklarata e ministrit turk erdhi rreth një muaj pas sulmeve ajrore izraelite në bazën ajrore Abu Dholur në Sirinë veriperëndimore, e cila u nxor jashtë funksionit. Izraeli përmendi përpjekjen e Turqisë për t’u vendosur atje si arsye, por Ankaraja mohon të mbajë një prani ushtarake në zonë.

“Në një kohë kur Siria sjell kaq shumë shpresë në rajon dhe në botë, ekziston një agjent që punon për të destabilizuar vendin. Ju e dini emrin e këtij agjenti: Izrael. Politikat e ndjekura nga Izraeli janë pengesa më serioze për këtë rrugë pozitiv. Është e drejtë e popullit sovran të Sirisë të sigurojë sigurinë në territorin e tij”, tha Fidan në një konferencë për shtyp që dha me homologun e tij sirian, duke kujtuar sulmin ndaj bazës ajrore Abu Dholur.

Izraeli ka nisur qindra sulme ajrore në Siri që nga rrëzimi i Presidentit Bashar al-Assad nga një koalicion grupesh islamike në dhjetor 2024. Objektivat e tij kryesore janë infrastruktura ushtarake.

Ai gjithashtu ka vendosur trupa në zonën e sigurisë të mbikëqyrur nga OKB-ja në kufirin e asaj pjese të pllajës siriane, Golanit, të cilën Izraeli e ka pushtuar që nga viti 1967 dhe e ka aneksuar në vitin 1981.

Shaibani, nga ana e tij, tha se nuk ka “asnjë justifikim legjitim ose ligjor” për sulmin në bazën ajrore, duke siguruar se ai nuk do të ketë asnjë ndikim në marrëdhëniet siriano-turke, të cilat aktualisht janë në nivelin optimal.

Të mërkurën e kaluar, Damasku protestoi gjithashtu kundër pranisë së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në tokën siriane, ku ai shkoi për t’u takuar me ushtarët e vendosur në anën siriane të malit Hermon. Siria e quajti ngjarjen një “provokim” dhe një “shkelje flagrante” të sovranitetit të saj kombëtar.

Trending