Raketa me emrin “Yildirimhan”, që në turqisht do të thotë “rrufe”, u prezantua në panairin e industrisë së mbrojtjes SAHA 2026 në Qendrën Ekspozuese të Stambollit.
Turqia prezantoi për herë të parë një prototip të një rakete balistike ndërkontinentale (ICBM), duke synuar forcimin e autonomisë së saj ushtarake dhe rritjen e rolit të saj në Lindjen e Mesme, por edhe brenda NATO-s. Raketa, e quajtur “Yildirimhan”, që në turqisht do të thotë “rrufe”, u prezantua në panairin e industrisë së mbrojtjes SAHA 2026 në Qendrën Ekspozuese të Stambollit.
Sistemi është zhvilluar nga qendra kërkimore dhe zhvillimore e Ministrisë turke të Mbrojtjes dhe konsiderohet një nga projektet më ambicioze ushtarake të Ankarasë deri më sot. Megjithatë, prezantimi madhështor i një rakete balistike ndërkontinentale nga Turqia u kthye në polemikë, pasi një video promocionale e krijuar me inteligjencë artificiale tregonte armën duke goditur objektiva që dukeshin si në Shtetet e Bashkuara, aleate e Turqisë në NATO.
Raketa Yildirimhan u prezantua këtë javë në një ekspozitë ushtarake në Stamboll si një sistem me aftësi për të përshkuar 6.000 kilometra, duke transportuar një kokë luftarake prej 3.000 kilogramësh me shpejtësi deri në 25 herë më të madhe se ajo e zërit, çka do ta vendoste Turqinë mes pak vendeve që mund të zhvillojnë armë të tilla.
Megjithatë, sipas Financial Times, shumë shpejt u ngritën pikëpyetje mbi aftësitë reale të sistemit, pasi videoja e krijuar me AI tregonte Yildirimhan duke goditur instalime bërthamore dhe objektiva të tjera që dukeshin se ndodheshin në SHBA.
Kontinenti amerikan ndodhet shumë përtej rrezes zyrtare të deklaruar të raketës, ndërsa zyrtarë turq pranuan më vonë se ende nuk është ndërtuar një prototip funksional për testime të plota.










