Serbia do të demonstrojë brenda 15 ditësh “qen robotë” të prodhuar nga një kompani kineze, të pajisur me sisteme armësh të kontrollueshme nga distanca. Projekti po ngre shqetësime për sigurinë kibernetike, varësinë teknologjike nga Kina dhe përdorimin ushtarak të teknologjive me përdorim të dyfishtë…
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç njoftoi të shtunën se Serbia ka blerë robotë katërkëmbësh, të njohur si “qen robotë”, nga kompania kineze Minth. Sipas tij, këto pajisje do të demonstrohen brenda 15 ditësh gjatë një stërvitjeje të ushtrisë serbe, ku do të përdorin “armë shumë serioze”.
Njoftimi u bë gjatë inaugurimit të një fabrike të re në Shabac, e operuar nga Minth Group në bashkëpunim me kompaninë AGIBOT. Vuçiç tha se ekspertët serbë kanë integruar një sistem softuerik që mundëson kontrollin e armëve nga distanca të mëdha, dhe që sipas tij, mund të përdoret për të goditur forcat dhe personelin kundërshtar.
Para se të kalojnë në përdorim ushtarak, robotët duhet të përfundojnë të paktën 100 orë testime të lëvizjes. Demonstrimi i planifikuar pas 15 ditësh do të tregojë nëse këto platforma janë të gatshme për përdorim në kushte reale ushtarake.
Fabrika e Shabac, paraqitet si objekti i parë në Evropë për prodhimin në masë të robotëve humanoidë. Investimi fillestar arrin në rreth 20 milionë euro, ndërsa objektivi është montimi dhe më pas prodhimi i më shumë se 5 mijë robotëve në vit.
Kapaciteti parashikohet të rritet deri në 20 mijë njësi, duke përfshirë edhe robotët katërkëmbësh. Autoritetet serbe thonë se produktet do të shiten në tregjet evropiane dhe globale me etiketën “Made in Serbia”.
Robotët parashikohen të përdoren fillimisht në industri, shëndetësi dhe bujqësi, por tashmë në horizont është edhe sektori i mbrojtjes. Beogradi ka njoftuar ndërkohë planet për ndërtimin e një parku më të madh industrial të robotikës në Inxhia, ku investimet mund të arrijnë deri në 200 milionë euro.
Për Serbinë, projekti paraqitet si një hap drejt modernizimit teknologjik dhe krijimit të një industrie vendase të robotikës. Por zhvillimi i tij vjen në një moment veçanërisht të ndjeshëm për marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Kinës.
Vetëm rreth një muaj para njoftimit të Vuçiçit, Komisioni Federal i Komunikimeve në SHBA ndaloi importet e reja të robotëve humanoidë dhe katërkëmbësh të prodhuar nga kompani të huaja.
Autoritetet amerikane kanë shprehur shqetësime për dobësitë e mundshme në sigurinë kibernetike, mbledhjen e të dhënave dhe mundësinë që pajisje të tilla të përdoren për mbikëqyrje ose të kontrollohen nga distanca.
Kina është aktualisht fuqia dominuese në prodhimin global të robotëve humanoidë. Për këtë arsye, analistët perëndimorë e shohin me shqetësim lidhjen e teknologjisë kineze me strukturat ushtarake të vendeve partnere.
Kompanitë kineze veprojnë në një sistem ku politika e “bashkimit civil-ushtarak” mund t’i detyrojë bizneset të mbështesin objektivat e sigurisë kombëtare të Pekinit. Integrimi i robotëve dhe softuerëve kinezë në sistemin ushtarak serb, ngre pikëpyetje për kontrollin e teknologjisë, sigurinë e zinxhirit të furnizimit dhe mundësinë e aksesit të padëshiruar në sistemet ushtarake.
Një tjetër shqetësim lidhet me varësinë afatgjatë. Edhe nëse robotët montohen në Serbi dhe shiten si produkte “Made in Serbia”, pjesët kryesore të harduerit, softuerët dhe teknologjia që qëndron pas tyre mund të mbeten të lidhura me kompanitë kineze.
Në këtë drejtim, Serbia nuk e nis nga zeroja. Ushtria e saj përdor tashmë dronë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore të prodhuara në Kinë, ndërsa Beogradi ka zgjeruar edhe rrjetet e mbikëqyrjes të lidhura me Huawei-n përmes programit “Qyteti i Sigurt”, duke përfshirë kamera dhe infrastrukturë për përpunimin e të dhënave.
Pikërisht përdorimi i teknologjisë së Huawei-t ka shkaktuar prej vitesh debate në SHBA dhe Evropë, ku janë vendosur kufizime për pajisjet kineze për shkak të shqetësimeve mbi spiunazhin, sigurinë e të dhënave dhe kontrollin e infrastrukturës kritike.
Në këtë kuadër, prodhimi i robotëve në territorin serb mund të krijojë edhe një situatë të ndërlikuar. Montimi dhe etiketimi i tyre si produkte serbe mund të shmangë disa kufizime që lidhen drejtpërdrejt me importet, por origjina e teknologjisë bazë dhe varësia nga zhvilluesit kinezë do të mbeten.
Për Serbinë, e cila është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por njëkohësisht ruan marrëdhënie të ngushta politike dhe ekonomike me Kinën, dimensioni ushtarak i këtij projekti mund të hapë një tjetër front tensioni me Uashingtonin dhe Brukselin.
Të dyja palët janë përpjekur të kufizojnë përdorimin e teknologjive kineze me ndjeshmëri të lartë në vendet aleate dhe partnere. Në këtë situatë, robotët e rinj të ushtrisë serbe nuk janë thjesht një projekt teknologjik, por edhe një tregues i drejtimit strategjik që Beogradi po ndjek.
Vuçiç e sheh projektin si një mundësi për modernizimin ekonomik dhe teknologjik të vendit. Kritikët, ndërkohë, shohin një kombinim potencialisht problematik: platforma robotike të armatosura, armë të kontrolluara nga distanca dhe teknologji kineze të integruar në infrastrukturën e sigurisë së Serbisë.
Për këto arsye, demonstrimi i paralajmëruar pas dy javësh, do të jetë më shumë se sa thjesht një test teknik. Ai do të tregojë jo vetëm nëse robotët janë gati për ushtrinë serbe, por edhe se si do të reagojë Perëndimi ndaj zgjerimit të rolit të teknologjisë kineze në sektorin e mbrojtjes së një vendi kandidat për në BE./Pamfleti nga “Eualive”











