Forcat ukrainase të sistemeve pa pilot njoftuan se kanë shkatërruar dy avionë rusë të tipit Tu-142 dhe një sistem raketor balistik Iskander gjatë një sulmi me dronë të kryer natën e 30 majit.
Lajmi u bë i ditur nga komandanti i Forcave të Sistemeve Pa Pilot të Ukrainës, Robert Brovdi, i njohur me nofkën “Magyar”. Sipas tij, objektivat u goditën në një bazë ushtarake pranë qytetit portual të Taganrogut, në rajonin rus të Rostovit, në brigjet e Detit Azov.
Operacioni u realizua nga Qendra e Parë e Forcave të Sistemeve Pa Pilot, një njësi e specializuar në sulme në thellësi të territorit rus kundër objektivave ushtarake dhe infrastrukturës energjetike.
Avioni Tu-142 është një mjet i zbulimit detar dhe luftës kundër nëndetëseve në përdorim nga marina ruse. Ai bazohet në platformën e bombarduesit strategjik Tu-95, i cili përdoret shpesh nga Rusia për sulme masive me raketa lundruese kundër Ukrainës.
Ndërkohë, sistemi Iskander konsiderohet një nga armët më të rëndësishme taktike të ushtrisë ruse. Ai mund të lëshojë raketa balistike me rreze veprimi deri në 500 kilometra dhe ka luajtur rol kyç në sulmet kundër qyteteve dhe infrastrukturës energjetike ukrainase.
Nga ana tjetër, guvernatori i rajonit të Rostovit, Yuri Slusar, konfirmoi se një sulm me dronë ukrainas shkaktoi zjarre në një depo karburanti, një cisternë nafte dhe një ndërtesë administrative në portin e Taganrogut. Ai tha gjithashtu se dy persona mbetën të plagosur gjatë sulmit.
Taganrogu ndodhet pak më shumë se 40 kilometra nga kufiri me pjesën e pushtuar të rajonit ukrainas të Donetskut dhe ka qenë shpesh objektiv i sulmeve ukrainase me dronë. Shpërthime në zonë ishin raportuar edhe më 27 maj.
Gjatë muajve të fundit, Ukraina ka rritur ndjeshëm përdorimin e dronëve të prodhuar në vend për të goditur objektiva ushtarake dhe infrastrukturore në thellësi të territorit rus.










