Trendy

Verifikimi i licencave për 10 sekonda, me një skanim të vetëm

Para 3 orë

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, prezantoi sistemin e ri SMART Licenca, i cili mundëson lëshimin, verifikimin dhe monitorimin elektronik të licencave përmes një regjistri digjital dhe kodit QR. Me një skanim të vetëm, qytetarët, kompanitë dhe institucionet do të mund të kontrollojnë menjëherë statusin e një licence – nëse është e vlefshme, e skaduar, e pezulluar apo e anuluar. Sipas ministrit, sistemi eliminon nevojën për dokumente në letër dhe e bën procesin më të shpejtë, më transparent dhe më të sigurt.

SINKRON: STEFAN ANDONOVSKI, MINISTËR I TRANSFORMIMIT DIGJITAL

“Në vend të një dokumenti që bartet, fotokopjohet, dërgohet dhe verifikohet me vështirësi, po vendosim një model ku ekziston një regjistrim zyrtar elektronik, i lidhur me një kod QR dhe me një regjistër elektronik që tregon gjendjen e saktë aktuale”.

Projekti pilot tashmë është zbatuar në Ministrinë e Transformimit Digjital për ofruesit e shërbimeve të besueshmërisë elektronike. Ndërkaq, në një fazë të avancuar zhvillimi dhe testimi janë edhe licencat e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, të cilat kanë të bëjnë me klubet e natës, diskotekat, kabaretë, baret dhe hotelet. Pritet që testimi të përfundojë deri në fund të qershorit. Andonovski theksoi se SMART Licencat mund të zbatohen edhe në sektorë të tjerë, si transporti, hoteleria, sigurimet, urbanizmi dhe lejet e ndërtimit.

STEFAN ANDONOVSKI, MINISTËR I TRANSFORMIMIT DIGJITAL

“Qëllimi ynë është që shteti të ndalojë së kërkuari nga qytetarët dhe kompanitë të jenë korrierë të dokumenteve. Shteti duhet të sigurojë që të dhënat të jenë të sakta, të qasshme, të verifikueshme dhe të sigurta”.

Ministri theksoi se SMART Licencat janë një shembull konkret se si digjitalizimi sjell vlerë reale: më pak letër, më pak burokraci, më shumë besim, verifikim më të shpejtë dhe llogaridhënie më të madhe.

/SHENJA/

Trending