Trendy

Vjedhjet rekorde në dyqanet e Gjermanisë, për 2024 mallra në vlerë prej 4.2 miliard euro!

Para 5 muaj

Shkruan Bahri Cani

Në dyqanet me pakicë në Gjermani është shënuar gjatë vitit të kaluar rekord në vjedhje, pasi që janë vjedhur mallra në vlerë prej më shumë se 4,2 miliardë euro, thuhet në Raportin e Institutit EHI për Shitjen me Pakicë.
Në dyqane u zbulua mungesa në vlerë prej rreth 4.95 miliardë euro në vitin 2024. Ndërsa rreth 4,2% lidhen drejtpërdrejt me vjedhje. Pjesa tjetër i atribuohet gabimeve të brendshme të kompanive, siç janë çmimet e pasakta apo gabimet në regjistrim dhe vlerësim.
Sipas raportit, vetëm vjedhjet nga klientët, përfshirë edhe ato nga grupet kriminale, i kanë kushtuar sektorit rreth 2.95 miliardë euro, ndërsa një vit më parë ka pasur një vjedhje prej rreth 2.82 miliardë euro.
Nga vetë punonjësti e kompanive janë vjedhur mallra në vlerë prej rreth 890 milionë euro, ndërsa nga furnitorët dhe kompanitë e shërbimeve rreth 370 milionë euro.


Interesante është që rreth 98% e vjedhjeve kalojnë pa u zbuluar, kumtoi EHI. Zbulimi i vjedhjeve bëhet vetëm më pas, gjatë regjistrimeve e krahasimeve.
Një rol të rëndësishëm luajnë vjedhjet e organizuara që janë rritur me 5% krahasuar me vitin e kaluar. Vjedhjet e organizuara përbëjnë rreth një të tretën e të gjitha vjedhjeve nga klientët, pra gati një miliard euro.
Këtu përfshihen edhe plaçkitjet me dhunë, ku grupe të ndryshme të organizuara futen në dyqane dhe marrin me dhunë mallrat, e punonjësit nuk mund të bëjnë asgjë.
Shkaku kryesor për vjedhje të zakonshme, siç thuhet në Raport, është rritja e kostove të jetesës dhe papunësia, me një fjalë varfëria.
Disa nga shkaqet janë rritja e kostove të banimit, rritja e çmimeve, inflacioni, pagat e vogla…
Ndryshe, vjedhjet më të shpeshta janë në dyqanet ushqimore, në supermarketet e vogla, ku janë vjedhur mallra në vlerë prej afro 2 miliardë euro. Rritje të vjedhjeve kanë shënuar edhe farmacitë dhe dyqanet e materialeve ndërtimore.


Njëkohësisht, statistikat zyrtare të policisë tregojnë një rënie prej 5% të rasteve të raportuara në vitin 2024, pas dy rritjeve të mëdha në vitet 2022 dhe 2023 (me +34.3% dhe +23.6%).
Kjo ka të bëjë me faktin që shumë vjedhës nuk kapen, por edhe me faktin që, sipas EHI, jo të gjitha rastet raportohen në polici.
Nga vjedhjet prej rreth 4.2 miliardë euro, buxheti i shtetit në Gjermani ka shënuar një humbje prej rreth 570 milionë euro nga TVSH-ja.
EHI jep disa nga shkaqet për vjedhje, po ju çfarë mendoni, pse bëhen kaq shumë vjedhje në Gjermani?

Trending