Trendy

VLEN: BDI pranoi fajësinë për fshirjen e mërgatës shqiptare në regjistrimin e vitit 2021

Para 4 muaj

Koalicioni VLEN ka akuzuar sot publikisht Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) për fshirjen e diasporës shqiptare nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2021, duke e cilësuar këtë si një nga padrejtësitë më të rënda dhe antikushtetuese ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Sot, para syve të opinionit publik dhe mediave, Bashkimi Demokratik për Integrim pranoi publikisht fajësinë për njërën nga padrejtësitë më të rënda dhe antikushtetuese ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, fshirjen e mërgatës nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2021 përmes metodologjisë skandaloze që i ndau banorët në rezident dhe jo rezident.”

Në reagimin e VLEN thuhet se, në vend që të japë llogari për këtë akt të rëndë politik e kombëtar, BDI iu shmang çdo përgjegjësie dhe heshti për faktin se regjistrimi është bërë në kohën kur kjo parti ishte në pushtet dhe kishte përfaqësuesin e vet në Entin Shtetëror të Statistikave.

VLEN ngre pyetje të drejtpërdrejta për BDI-në:

“Pse e fshitë mërgatën shqiptare nga regjistrimi zyrtar? Cili ishte pazari i pistë politik që bëtë dhe me kë? Pse përjashtuat nga vendimmarrja shqiptarët e diasporës që për dekada kanë kontribuar për këtë vend?”

Sipas tyre, ky është një akt i paprecedent që ka cenuar të drejtën themelore të mërgatës për të qenë pjesë përbërëse e popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut “jo vetëm emocionalisht, por edhe ligjërisht dhe institucionalisht.”

VLEN thekson se BDI, bashkë me “shokët nongrata”, jo vetëm që heshtën për këtë padrejtësi për katër vite me radhë, por tashmë e kanë pranuar publikisht bashkëorganizimin e këtij procesi të padrejtë.

“Tashmë është e qartë: BDI, bashkë me shokët nongrata, jo vetëm që heshtën për këtë padrejtësi për katër vite rresht, por sot e pranuan se kanë qenë bashkëorganizatorë të këtij procesi të padrejtë, ndërsa nuk dhanë asnjë përgjigje për dëmin e bërë.”

VLEN shton se ndërkohë që mërgimtarët u lanë jashtë, BDI po bën pazare të reja për lista të përbashkëta në zgjedhjet lokale, duke ngritur dyshime për një marrëveshje të re të fshehtë me partnerët e saj politikë:

“Ndërkohë që mërgimtarët u lanë jashtë, BDI sot po bën pazare të reja për lista të përbashkëta në zgjedhjet lokale. A është kjo një paralajmërim për një marrëveshje të re të fshehtë mes BDI-së dhe patericave të saj? Me këtë marrëveshje apo e amnistojnë aleatët e ri BDI-në për këtë akt të turpshëm”, thonë nga VLEN.

Ata përmbyllin reagimin e tyre me një paralajmërim politik për zgjedhjet lokale të vitit 2025:

“Në tetor 2025, përgjigja më e fuqishme do të vijë nga qytetarët dhe nga mërgata, të cilët do të zgjedhin barazi, drejtësi dhe përfaqësim të dinjitetshëm, jo pazare dhe manipulime.”

Trending